Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti të diplomuarit e rinj të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, duke i inkurajuar të angazhohen aktivisht në jetën publike dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit, veçanërisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Faza në të cilën ndodhemi kërkon shumë më shumë punë, shumë më shumë angazhim dhe shumë më shumë bashkëpunim për konsolidimin e shtetit ligjor, për të ndërtuar institucionet demokratike, për forcimin e lirive e të drejtave të njeriut, për forcimin e medias dhe për dialog gjithëpërfshirës e konstruktiv,” – tha Presidenti Begaj, duke theksuar rëndësinë e përmbushjes së aspiratës shqiptare për anëtarësimin e plotë në BE.









