Zbardhen detaje të reja nga vrasja që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Vushtri. I dyshuari për vrasjen e 19 vjeçarit Ardit Zymeri ka pranuar fajësinë. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili tha se fajësinë autori i dyshuar Bleon Dibrani e pranoi gjatë marrjes në pyetje.
“Është arrestuar një i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, dhe i njëjti me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje, prokuroria dhe policia janë duke mbledhur provat relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i pandehuri e ka pranuar fajësinë për vrasjen”, ka thënë Preteni.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e autorit, autoritetet kanë sekuestruar edhe një armë të gjatë me pesë fishekë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti tha se viktima është dërguar në Spitalin e Vushtrrisë, ku nga ekipi mjekësor është konfirmuar se ishte pa shenja jete.