Millorad Dodik, presidenti i entitetit serb të Bosnjës e Hercegovinës, ka thënë të mërkurën se është njoftuar se INTERPOL-i nuk e ka pranuar kërkesën e gjykatës së Bosnjës për të lëshuar fletarrestime ndërkombëtare kundër tij dhe Nenad Stevandiçit, kryetarit të Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska.
Dodik shkroi në X se u njoftua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilin tha se e falënderon bashkë me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
“Presidenti Aleksandar Vuçiç sapo më telefonoi për të më thënë se mori një njoftim nga Drejtoria e Interpolit se ankesa e Serbisë ishte pranuar dhe se Interpoli ka refuzuar kërkesën e Gjykatës së Bosnjës për të lëshuar njoftim të kuq për Stevandiçin dhe mua”, shkroi Dodik në X.
Gjykata e Bosnje e Hercegovinës kërkoi më 27 mars fletarrestime ndërkombëtare, përmes INTEPOL-it, për dy liderët e Republikës Sërpska.