Sali Berisha gjatë takimit në Lushnjë është shprehur se nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet e 11 majit, qeveria e re do të 5-fishojë subvencionet për fermerët.
Berisha tha se Shqipëria është një vend ku qindra e mijëra familje nuk ushqejnë dot siç duhet fëmijët e tyre. Ai tha se sipas tij kjo vjen pasi paratë e shtetit vidhen nga zyrtarët e korruptuar të qeverisë.
“Miqtë e mi, askush nuk mund të prodhojë më shumë se fermeri lushnjar në qoftë se ti i largon atij të këqijat që i ka brë regjimi. Në qoftë se ti i garanton atij kushtet që djersa e tij të japë prodhimet, suksesin që meriton. Dhe ne këtë do bëjmë.
Së pari, do ta barazojmë me fermerët e tjerë të rajonit. Do subvencionojmë pesë herë më shumë. Do rrisim fondin e subvencionimeve 5 herë për çdo fidan, për bimët e arave, për njësi prodhimi, për çdo krerë bagëti.
Po, atëherë të maten fermerët e tjerë me fermerin e Lushnjes dhe të shohin kush prodhon më shumë dhe më lirë. I Lushnjes do jetë i pari.
Sot, ky regjim për t’i hapur dyert shkatërrimit të prodhimit bujqësor, ka vendosur TVSH-në asimetrike te grumbulluesit dhe përpunuesit e prodhimeve.
Unë iu jap fjalën ju se tre muajt e parë do vendoset taksa simetrike, e cila bën që përpunuesi t’i kthejë fermerit, të marrë ai TVSH-në 20 përqind për prodhimet që shet.
Ballkani i Hapur, kjo marrëveshje që shkatërroi me mijëra ferma, që solli vërshimin e prodhimeve të subvencionuara 8 herë më shumë se prodhimet në Shqipëri për shkak të vëllazërisë Rama-Vuçiç, do hidhet në kosh të plehrave javën e parë të qeverisjes së PD.
Linjë krediti të butë, në të cilën qeveria do paguajë 80 përqind të interesit, do u ofrohet fermerëve të Lushnjes dhe mbarë Shqipërisë. Nuk ka tokë më pjellore se toka shqiptare askund. Ky vend nuk ka asnjë pëllëmbë tokë pa frut. Lushnjes po i kripëzohen tokat se nuk ka investime në asgjë.
Vaditja, kullimi dhe mbrojtja e tokës do jenë tre përparësi madhore të qeverisë së ardhshme. Kudo në botë që ndodh mbiprodhimi, ndodh që fatkqësitë dëmtojnë. Edhe tani më informuan se janë dëmtua prodhimet.
Qeveria do ketë fondin e kompensimit me çmimin bazë të të gjithë dëmtimeve që vijnë nga faktorë natyrorë ose stoku i mbiprodhimit dhe mosshitja e tyre. Ndonëse u them këtu, e deklaroj këtu botërisht se do mbrojmë në çdo sezon prodhimet tuaja. Çdo vend e bën këtë, përveç Shqipërisë sot.
Po, do t’i mbrojmë ato. Çdo vend i mbron. Përveç Edi Ramës që i shkatërroi prodhimet. 2 mijë ton patate iu kalbën një fermeri në Pogradec për shkak të Ballkanit të Hapur. Mijëra ferma falimentuan.”, tha Berisha.