Ministrat e financave të BE-së do të përpiqen sot të gjejnë mënyra për ta përdorur 90 ditët e pezullimit të tarifave të SHBA-së. Ata po mendojnë për të arritur një marrëveshje tregtare me Uashingtonin ose në rast të dështimit, për të koordinuar veprimet e tyre për t’u marrë me tarifat e rritura.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi papritur të mërkurën se po pezullonte tarifat shtesë prej 20% që vendosi në Evropë për 90 ditë. Megjithatë, tarifat prej 10% të vendosura nga SHBA për të gjitha importet e produkteve nga jashtë mbeten në fuqi, si dhe tarifat prej 25% për importet e makinave, çelikut dhe aluminit.
Në të njëjtën kohë, Trump deklaroi se pret që Evropa të blejë më shumë energji nga SHBA për të rivendosur bilancin tregtar dypalësh.
“Ne duhet t’i përdorim 90 ditët me mençuri, na duhet një marrëveshje e mirë për qytetarët evropianë dhe kompanitë evropiane,” tha ministri polak i financave Andrzej Domanski pas mbërritjes së tij në samit.
Por ministrat evropianë paralajmëruan se BE-ja është gati në rast se duhet të marrë kundërmasa.
“Pala amerikane duhet të kuptojë se nëse negociatat nuk funksionojnë, duhet të kemi një tjetër diskutim për mekanizmat e reagimit”, komentoi ministri gjerman i Financave Jorg Kukis.
Komisioni Evropian do të marrë përgjegjësinë për negociatat me Uashingtonin. Nëse brenda tre muajve të ardhshëm arrihet një marrëveshje, ndoshta bazuar në propozimin e BE-së për tarifa zero për të gjitha produktet industriale, atëherë kriza do të jetë shmangur. Por është e hapur edhe mundësia që të mos ketë marrëveshje.
“Fakti që do të kemi një pauzë 90-ditore, sinqerisht, është shumë i dobishëm, sepse do të thotë se ne mund të hartojmë strategji dhe do të kemi 90 ditë për t’u përgatitur në rast se nuk ka marrëveshje tregtare me amerikanët,” tha një zyrtar i lartë evropian me njohuri për këtë çështje.
Banka Qendrore Evropiane dhe Komisioni Evropian vlerësojnë se ndikimi i tarifave amerikane në ekonominë e BE-së do të jetë i rëndësishëm, midis 0.3% dhe 1% të PBB-së, në varësi të mënyrës se si do të zhvillohet lufta tregtare.
Komisioni parashikon që ekonomia e BE-së në tërësi do të rritet me 0.9% këtë vit, kështu që tarifat e SHBA mund ta zhysin bllokun në recesion. Tregu i vetëm i BE-së, me 450 milionë konsumatorë, është një nga asetet më të mëdha të bllokut në çdo mosmarrëveshje tregtare, por për të qenë vërtet efektiv, Bashkimit do t’i duhet të reduktojë barrierat rregullatore brenda tij.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se barrierat e brendshme në tregun e BE-së janë ekuivalente me tarifat prej 44% për mallrat dhe 110% për shërbimet. Ministrat evropianë ka të ngjarë të fokusohen në zvogëlimin e këtyre barrierave në mënyrë që t’i përgjigjen tarifave të SHBA.