Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi një takim me banorët e njësisë administrative të njësisë 15 në Tiranë. Berisha tha se me ardhjen në pushtet do të rrisim 5 herë më shumë subvencionet për fshatin dhe fermerët. Ai tha se do të subencionojnë çdo fidan që do të mbillet dhe nuk do të ketë më fshatra të braktisura.
“Dhe asnjë shtet nuk humbet nga kjo. Jo. Ato kthehen në prodhim, mirëqenie, kthehen për familjet, për shoqërinë. Ky subvencionin vetëm që bëri, hapi kufijtë për Serbinë me ‘Ballkanin e Hapur’ se tha pret kamioni aq e kaq, marrëzira dmth. Dhe mallrat e Shumadisë, prodhimet e Banatës, që kanë të paktën 8 herë më shumë subvencione se Shqipëria, vërshojnë në Shqipëri. Natyrisht fermeri shqiptar me një fermer që subvencionohet 8 herë më shumë, cilido qoftë ai, nuk ja del ta përballojë. I del me çmim shumë më të lartë. Bëri dhe tjetrën. Grumbulluesve ju vuri TVSH asimetrike në mënyrë që ata të blinin prodhimet e importuara dhe jo të vendit. Dhe tani, këto bënin që mijëra kuintal e tonelata mallra vendi të kalben dhe fermeri të mos mbjellë më, të iki, të largohen, të falimentojë. Me mijëra ferma, më mijëra sera. Prodhimi bujqësor ka rënë. Çfarë do bëjmë ne? Ne vitin e parë jemi këtu, ua jap fjalën që subvencionin për ju do ta ngremë në nivelin e Maqedonisë, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbisë, nivel që është 5 herë më i madh se ky sot. Do subvencionojmë çdo fidan që mbillni.
Do subvencionojmë çdo lopë, dele, apo dhi. Do subvencionojmë çdo njësi prodhimi që merrni nga toka juaj. Taksa për grumbulluesit merr fund, do jetë simetrike si në shitje dhe blerje, çka do thotë ju do merrni mbrapsh TVSH e shitjes dhe nuk do e marrin grosistët. Do e merrni ju se është e juaja. Është pra një sistem krejt tjetër ky. Për ne nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa fshat të zhvilluar. Nuk ka Shqipëri të zhvilluar me fshat të braktisur. Nuk ka tokë më pjellore se sa toka e Shqipërisë, është nga më të mirat që ekziston. Të tjerët e kthejnë shkretëtirën në tokë pjellore. Këta tokën pjellore e kthejnë në shkretëtirë. Kjo është e vërteta”, tha më tej Sali Berisha.