Drejtuesi politik i qarkut Fier në Partinë Demokratike zhvilloi një takim me qytetarët së bashku me Sali Berishën. Bardhi gjatë fjalës së tij akuzoi zv.kryeministren Belinda Ballukun se ajo ka ofruar mashtrime dhe korrupsion.
Ai u shpreh se Balluku dhe banda e saj elektorale janë në hetim nga Prokuroria e Posaçme për vjedhjen e miliona eurove. Bardhi nënvizon se Balluku dhe Rama kanë premtuar shumë gjëra në Fier por vetëm kanë mashtruar dhe u kërkoi qytetarëve që të mos votojnë për ta.
“Ka sjellë në Fier, njeriun më të korruptuar Belinda Balluku dhe banda e saj elektorale që janë të gjithë në hetim dhe procedim nga SPAK për vjedhjen e miliona euro. Këta nuk janë europianë. Janë talebanë që i kanë vendosur minat shoqërisë duke detyruar 500 mijë të reja e të rinj të ikin në emigracion. Nuk janë europianë. Një europian nuk bën tender 10 mijë euro për larjen e makinës si Balluku. Një europian nuk bashkëpunon me krimin e organizuar për vota, nuk përdor kompanitë apo administratë për të kërcënuar njerëzit me bukën e gojës. Ka më shumë se 12 vjet që Rama dështon të bëjë reforma. Nuk ka për ti bërë edhe nëse ka 12 vjet sepse është i paaftë, sepse nuk di. Është kundër llogaridhënies, transparencës.
Mashtrimi, manipulimi dhe korrupsioni janë oferta e vetme e Ramës dhe Ballukut për qarkun e Fierit. 4 vjet më parë në 2021, Rama erdhi këtu për t’ju kërkuar votën. Premtoi universitetit të ri ndërkombëtar në Fier, premtoi restaurim të çdo lagjeje të Fierit, premtoi asfaltim të zonave rurale në çdo lagje. Gënjeu. Premtoi ujë 24 orë, gënjeu. Premtoi pallat sportesh dhe stadium të ri. E ka bërë? Gënjeu. Premtoi për fermerët infrastrukturë në tokat bujqësore, ulje të çmimit të naftës. A e ka bërë? Gënjeu. Premtoi gjithçka, por ofroi vetëm lugën bosh. Kthejani lugën bosh më 11 maj. Mos i jepni asnjë votë kryeministrit mashtrues dhe bandës në Fier.”, tha Bardhi.