Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me të rinjtë në Tiranë. Rama u bëri thirrje që të votojnë për zgjedhjet e 11 majit. Kryeministri nënvizoi se me 11 maj është rikthyer mundësia në duart e shqiptarëve për të bërë histori në ditën e votimit.
“Dëshiroj që ta dini si votues të parë se nuk qëllon çdo herë, madje shumëkujt mund t’i qëllojë të votojë gjithë jetën dhe mos ta ketë mundësinë të shkojë në votim, dhe në dorën e tij, tek vota e tij të ketë edhe privilegjin që të kontribuojë për diçka historike.
Faktikisht Shqipëria ka afro 35 vjet që voton, por një herë vetëm shqiptarët kanë pasur zgjedhje, kur në dorën e tyre ka ardhur historia dhe kur vajtja në kutitë e votimit ishte takim me historinë, kjo ndodhi kur iu dha mundësia të zgjedhin pas shumë dekadash, dhe kur iu dha mundësia të vendosin drejtimin e vendit, për të shkuar para jo jo pas, për të zgjedhur Shqipërinë në BE apo larg BE. Në 11 maj është rikthyer mundësia në duart e shqiptarëve për të bërë histori në ditën e votimit”, tha Rama.