Kryeministri Edi Rama, gjatë një ligjërate në Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, theksoi rëndësinë strategjike të integrimit të Ballkanit në Bashkimin Europian, duke e konsideruar këtë proces jo vetëm si një qëllim politik të Shqipërisë, por edhe si një nevojë për stabilitetin dhe sigurinë e Europës, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.
“Rruga përpara është sfiduese, por kurrë nuk kemi qenë më të vendosur. Shqipëria nuk ka plan B përveç lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Anëtarësimi ynë në Bashkimin Europian nuk është thjesht një qëllim politik, por një transformim i shoqërisë nga brenda, duke forcuar institucionet, luftuar korrupsionin dhe krijuar një shtet në shërbim të qytetarëve. Reforma në drejtësi ka qenë një nga ndryshimet më të thella në historinë e vendit, dhe tregon se përparimi kërkon guxim dhe këmbëngulje.
Europa shpesh e merrte paqen dhe demokracinë si të mirëqena, por agresioni rus ndaj Ukrainës e ka rikujtuar të gjithë se këto janë vlera që duhet mbrojtur. Integrimi i Ballkanit nuk është vetëm një kërkesë e Shqipërisë, por një nevojë strategjike për Europën, dhe Shqipëria ka treguar se është një partnere e besueshme dhe e qëndrueshme. Partneriteti ynë shtrihet përtej Europës, duke përfshirë edhe Azinë, sepse gjithkush ka çfarë të mësojë nga të tjerët dhe bashkëpunimi global është i domosdoshëm për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme,” tha kryeministri Rama.









