Kjo është Shqipëria e vitit 2025, vendi ku drejtësia jo vetëm që është selektive, por është bërë dhe regjisore e një reality-show komik, ku protagonist është SPAK-u me lupën në dorë dhe verbërinë e zgjedhur me kujdes. Këtë herë “armikun e zgjedhur” e kanë gjetur: Partia e Doshit! Të gjithë janë turrur pas saj si të kenë zbuluar Al Caponen në Bushat. Çfarë gjetën? Telefona! Po, telefona! Aq shumë bujë për një “kallaj” teknologjik.
SPAK-u, me task-forcën që u lançua si “Dream Team” me reklama hollivudiane, doli më në fund në terren. Jo për ndonjë mega-aferë, por për të kapur mesazhet e një militanti që shkruante “do vish te mitingu?”. Kjo është drejtësia me efekt zhurme, pa asnjë efekt konkret. Ndërkohë Doshi? Po bën atë që ka bërë gjithmonë: ndihmon hallexhinjtë dhe ata e shpërblejnë me votë. Kur e bënte me PS-në dhe PD-në ishte “strategjik”, tani u kthye në “rrezik kombëtar”.
Por le të flasim për të çakallin! Në Durrës, Arkand Balla ka përsëritur me sukses formulën “Qyrbja-Gjushi”, një supermakineri votash që e bën Ramën të duket si fillestar. Me ndihmën e Ergys Agaçit dhe Xhevdet Troplinit (Poja), kanë arritur standardin zviceran të manipulimit pa asnjë hetim. SPAK? Atje e gjen te ndonjë kafene, duke u këshilluar për cilësinë e kartelave SIM!
Po në Elbasan? Sara Mile, zonja e ndarësve metalikë, e preferuara e zv/kryeministres Baluku, ka mbledhur vota nga të gjithë atje, Aqif Rakipi, Dine Çami, Kamber Mehaj e njerëzit e Suel Çelës! Një operacion i kompletuar! Po SPAK? Ka ngecur duke analizuar një telefon Nokia model I vjetër, i sekuestruar në Rrëshen.
E pastaj kemi “shpresën e re të urbanizimit të ndershëm”, Blendi Gonxhen, zëvendësuesin potencial të Lali Erit! “Investitorët strategjikë” të Tiranës dhe “ndërtuesit” e ndershëm I numërojnë votat më mirë se fondet e PPP-ve! SPAK nuk duket gjëkundi për Gonxhen se i prish imazhin! Edhe Orlando Rakipi fitoi me suksese mandatin e dytë, fal politikave të tij shumë të dobi prurëse në Tiranë!
Por akti final i tragjikomedisë ndodhi në burgje! Aty ku ndodh mrekullia shqiptare: Ministri i Brendshëm del kandidati më i votuar. Dhe pas tij, zonja e një prokurori merr më shumë vota se gati e gjitha opozita. Demokracia jonë është kaq e fortë, sa të burgosurit votojnë për ata që i kanë futur brenda! E SPAK? Po, po… ndoshta ishte duke çaktivizuar Face ID në ndonjë telefon të sekuestruar.
Që pas 9 majit, treshja e VIP-save Dumani, Çelaj dhe Proda janë zhdukur nga qarkullimi, mbase janë dërguar me mision të posaçëm në “shtëpinë e pushimeve” që ndodhet pranë pushtetit. Zgjedhjet, sipas tyre, shkuan “perfekt”. Sepse kur votat vidhen me shije, nuk lihen gjurmë për SPAK-un.
Tani, spektakli ka mbaruar. SPAK ka nisur fazën “pas-zgjedhore”: kontrollin e telefonave të militantëve të Doshit. Ndërsa çakallët e vërtetë, ata që blejnë vota me leje ndërtimi dhe miliona euro “investime patriotike”, pijnë verë të bardhë dhe qeshin… me drejtësinë.