Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se të hënën do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe më pas me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Sipas tij, biseda me Putinin do të mbahet në orën 10:00 të mëngjesit, ndërsa menjëherë pas saj do të zhvillohet edhe ajo me Zelenskyn.
Trump bëri të ditur se do të ketë kontakte edhe me “anëtarë të ndryshëm të NATO-s”, pa dhënë detaje të mëtejshme për përmbajtjen e këtyre bisedimeve.
Në një postim të publikuar, ai theksoi optimizmin për një zgjidhje paqësore:
“SHPRESOJMË QË DO TË JETË NJË DITË PRODUKTIVE, DO TË BËHET NJË ARMËPUSHIM DHE KJO LUFTË SHUMË E DHUNSHME, NJË LUFTË QË NUK DUHET TË KISHTE NDODHUR KURRË, DO TË PËRFUNDOJË. ZOTI NA BEKOFTË TË GJITHËVE!!!”
Këto zhvillime vijnë një ditë pas bisedimeve të para të drejtpërdrejta mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës që nga viti 2022, duke rritur shpresat për një përparim diplomatik drejt përfundimit të konfliktit.
/5pyetjet.al