Edhe sot Sali Berisha denoncoi sipas tij krimin zgjedhor. Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se krimi futi në parlament 28 deputetë. Berisha ka denoncuar me emra kandidatët e PS-së Sara Mila, Arkend Balla, Ani Dyrmishi dhe Blendi Xhabafti.
“11 Maji, do ndalem vetëm në një aspekt. Në aspektin me të cilin fillova. Ky shtet është ndërmarrje e përbashkët me krimin e organizuar. Krahas patronazhistëve, krahas blerjes publike të votave, bota e krimit në këto zgjedhje ishte më zyrtare se kurrë. Ishte zyrtare!
Ajo veproi në ombrellën e prokurorisë dhe politikës, Edi Ramës, me të gjithë mjetet e veta. Bandat në qytetet e mëdha të vendit, por jo vetëm ato, arritën të fusin në parlament, të punojnë për 28 deputetë.
Para jush, në fushatë, unë kam denoncuar bashkërendimin e bandave të Durrësit dhe Elbasanit, darkat e shpeshta tek një lokal në Shkëmbin e Kavajës, në mos gabohem diçka me kuajt ka ky lokal, ku darkonin së bashku Ergys Agasi, Elvis Doçi, Suel Çela, Vangjush Dako.
Tani, pas këtij denoncimi, ata u transferuan nga lokali Kodra e Kuajve, tek shtëpia e Dakos në Bllok. Aty janë organizuar të gjitha takimet” tha ai.