Kandidatja e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Andia Ulliri ka ankimuar në KQZ rezultatet zgjedhore. Partia Demokratike ka marrë 6 mandate në Durrës, ku 5 ishin në listën e mbyllur.
Ulliri në kërkesën e saj thekson se renditja e kandidatëve fitues, nuk respekton përfaqësimin gjinor të përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.
“Veprimi juaj për të shpallur të zgjedhur z. Arjan Ndoja, i cili është renditur i pari në listë me vota parapëlqyese, është në kundërshtim me ligjin dhe përbën një shkelje të parimit kushtetues për përfaqësimin gjinor. Në rastet kur nga renditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i listës një në tre emra të saj t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që kanë marrë. Interpretimi i bërë nga KQZ është i pambështetur në ligj dhe në asnjë vendim të Komisionit Rregullator. Kemi të bëjmë me një listë unike, e cila duhet të garantojë që 1 në 3 fitues të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar”, thuhet në kërkesën e Ullirit.