-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Kodi Amalek: gjenocidi i zvarritur

Kryesoret

1.

Nga të gjitha vargjet e Dhjatës së Vjetër, kryeministri izraelit, Netanyahu, zgjodhi një nga më të ngarkuarit me dhunë kur përcolli ushtarët izraelitë në tetor të vitit 2023 për në Gaza – vend prej nga më 7 tetor Hamasi udhëhoqi një aksion të paprecedent të vrasjeve të civilëve hebrenj. Ky ishte një mision krimesh lufte i transmetuar “live”, ku vriteshin gra, burra, fëmijë dhe pleq vetëm pse ishin hebrenj. Ai vazhdoi me rrëmbimin e fëmijëve, grave dhe burrave si pengje lufte.

Netanyahu i përcolli ushtarët me fjalët: “Duhet të mbani mend çfarë ju kanë bërë amalekasit, thotë Bibla jonë e shenjtë. Dhe, ne mbajmë mend”.

Bibla thotë se profeti Samuel i flet kështu Shaulit:

“Dikur Zoti më dha për detyrë të të shuguroj me vaj mbret mbi popullin e tij, Izraelin. Prandaj dëgjo tani urdhrin e tij! Zoti i ushtrive të Izraelit të përcjell këtë urdhër: Nuk e kam harruar çfarë i kanë bërë amalekasit popullit tim, Izraelit. Ata i penguan rrugën, kur doli nga Egjipti. Prandaj shko në luftë kundër tyre dhe asgjësoji! Gjithçka që u takon atyre është e dënuar prej meje. Vrit pa mëshirë burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja, qe, dele, deve dhe gomarë”.

Ushtria izraelite nuk kishte nevojë për shpjegime të tjera operative. E vendosur në këtë kontekst, lufta kundër Gazës u shndërrua në luftë kundër çdo “amalekasi” të shekullit XXI – burra, gra, fëmijë, foshnja, kafshë.

2.

Lufta në Gaza ka kaluar prej kohësh të drejtën legjitime të mbrojtjes dhe parimin e ndëshkimit proporcional. Ajo ka qenë, që nga fillimi, një ushtrim i porosisë biblike. Në nëntor 2023, ushtria izraelite kishte vrarë mes 2.500 dhe 3.000 fëmijë, mesatarisht 100–150 në ditë. Ky numër – vetëm për një muaj – është më i lartë se ai i fëmijëve të vrarë gjatë gjithë luftës në Ukrainë apo në Kosovë, madje më shumë se të dyja së bashku.

Sot, numri i fëmijëve të vrarë palestinezë mund të ketë arritur në 16.500 – më shumë se të gjithë fëmijët e vrarë në Bosnjë, Kosovë dhe Ukrainë së bashku.

Mesatarisht, nga fillimi i luftës deri më sot çdo orë vritet një fëmijë palestinez.

Kjo mesatare, e ftohtë dhe matematikore, është pjesë e një zinxhiri rrëfimesh të llahtarshme. Rrëfimi i fundit është ai i së premtes së kaluar, kur një mjeke pediatre dhe burri i saj, gjithashtu mjek, humbën nëntë nga dhjetë fëmijët e tyre nga një bombardim izraelit i spitalit ku ishin strehuar. Fëmija i dhjetë është i plagosur; babai i tij ndodhet në gjendje të rëndë, me dëmtime të trurit nga shpërthimet.

3.

Përveç bombardimeve, kufizimeve të lëvizjes dhe zhvendosjeve të vazhdueshme, palestinezët në Gaza janë përballur me uri të planifikuar nga operacionet izraelite. Prej dy muajsh, ndihmat humanitare janë ndalur plotësisht (pas një viti e gjysmë kufizimesh drastike). Sipas OKB-së, gati gjysmë milioni njerëz janë në Fazën 5 të pasigurisë ushqimore (të definuar si katastrofë), dhe një gjysmë milionë të tjerë në uri. Me këtë ritëm, e gjithë popullata e Gazës, sot në Fazën 3, do të përballet me uri kolektive në shtator 2025.

E gjithë popullata palestineze varet nga ndihmat: ushtria izraelite ka shkatërruar qëllimisht varkat e peshkimit, serrat dhe tokën për mbjellje. Vetëm 5 për qind e tokës është e përdorshme për bujqësi. 95–99 për qind e kafshëve – shpezë, dhi, dele – janë shkatërruar. Ashtu si në porosinë biblike për amalekasit.

Aktualisht, Izraeli po kryen një operacion për okupimin e Gazës, me plan për të zhvendosur popullatën palestineze në 15–20 për qind të territorit ekzistues. Më pas, kësaj popullate tashmë të zhvendosur për herë të shumëfishtë do t’i ofrohet “ndihma humanitare për evakuim në vende të tjera”.

4.

I tërë shkrimi deri këtu është përshkrim i gjenocidit.

Sipas Nenit II të Konventës së OKB-së për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, “Gjenocid” do të thotë cilado nga këto vepra, të kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar:

  • Vrasja e anëtarëve të grupit;

  • Shkaktimi i dëmtimit të rëndë fizik ose mendor tek anëtarët e grupit;

  • Vendosja e qëllimshme e grupit në kushte që synojnë shkatërrimin fizik të tij;

  • Ndërmarrja e masave për të parandaluar lindjet brenda grupit;

  • Transferimi i dhunshëm i fëmijëve të grupit në një grup tjetër.

Përveç pikës së pestë, Izraeli ka ndërmarrë veprime që përputhen me të gjitha përkufizimet e mësipërme. Veprimet synojnë zhdukjen e popullsisë palestineze nga Gaza – dhe, sipas disa përfaqësuesve të qeverisë së tij, edhe nga Bregu Perëndimor. Dikur, aktivistët palestinezë në delirin anti-hebre këndonin për një shtet “të lirë nga lumi në det”, nga Jordani në Mesdhe. Sot, ky është projekt i vetë politikanëve të rëndësishëm izraelitë: “Izraeli i Madh”.

Izraeli ka zhvilluar një fushatë sistematike, të planifikuar, të zvarritur të gjenocidit në Gaza. Në këtë fushatë – përjashto Republikën e Afrikës së Jugut, e cila ngriti padi për gjenocid në Hagë – pushteti i Netanyahut ka llogaritur se bota është bretkosa që mësohet me ujin që nxehet, deri në pikën kur nuk e ndien më që është zier.

Netanyahu ka arritur në atë pikë: bretkosa globale është mësuar me flluskat e vlimit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit