Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike, ka njoftuar se shumë shpejt do të publikojë një raport përfundimtar mbi zgjedhjet e 11 majit, të cilin e cilëson si një proces të manipuluar nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky raport do t’i dërgohet institucioneve ndërkombëtare për të ekspozuar atë që ai e quan shkelje të rënda të standardeve elektorale dhe për të informuar publikun ndërkombëtar për realitetin e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri.
“Raporti përfundimtar do bëjmë çdo gjë që të jetë gati nga data 10 qershor, por ndërkohë, ne si dokumente i nisim që të gjitha në misionin e ODIHR dhe misione të tjera vëzhguese. Ku do shkojë raporti përfundimtar? Raporti përfundimtar do shkojë në të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-së, BE-së dhe Këshillit të Europës. Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, konventat e të cilave janë dhunuar në këto zgjedhje. Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të OSBE, BE dhe KiE. Pra, këto janë destinacionet e raportit përfundimtar, por për të mbajtur nonstop të informuar, ne kemi operuar me raportin paraprak, tani kemi përgatitur raportin e ndërmjetëm dhe raportin përfundimtar do përpiqemi ta përgatisim midis datës 10 dhe 15 qershor me çdo kusht”, tha Berisha.