Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti traditën e tij të çdo të hëne duke folur përpara Kryeministrisë, duke nderuar demokratët që morën pjesë në protestën e 8 majit dhe duke kritikuar ashpër qeverinë për “vjedhje dhe keqmenaxhim” që, sipas tij, po pengojnë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
Në fjalën e tij të gjatë, Berisha përshkroi situatën politike dhe ekonomike të vendit, duke theksuar rolin e qytetarëve si “shpresa e kombit” dhe duke akuzuar drejtuesit e qeverisë për veprime që minojnë ligjshmërinë dhe drejtësinë.
“Po ngrihi ndaj një diktature të bazuar në vjedhjen e shqiptarëve, drogën, krimin, terrorizimin e qytetarëve, varfërimin dhe mjerimin e tyre. Dëshmoni para shqiptarëve se jeni të pamposhtur, se kauzën tuaj do e mbroni me çdo sakrificë. Kam një nderim të madh për ju, për ata dhjetëra mijëra qytetarët që mbushën më 8 maj bulevardin e Tiranës dhe u bënë pasqyra e moralit të vërtetë të shqiptarit në të katër anët e kombit. Një ditë shiu të pandërprerë pas një terrori shtetëror, dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën për të shprehur revoltën e tyre ndaj një regjimi armiqësor ndaj shqiptarëve, për të dëshmuar se janë shpresa e këtij vendi dhe elita e guximit të shqiptarëve… Dyert e integrimit të Shqipërisë po mbyllen prej dyshes Rama-Balluku dhe vjedhjeve të tyre me tunelin e Llogarasë, rrugët kombëtare dhe Aeroportin e Vlorës. Nuk e duan integrimin ata, sepse interesat e tyre private e pengojnë të ardhmen e vendit.”









