Ky titull na sjell, na rikuj ton filmin e famshëm italian të vitit 1950 “Nuk ka paqe nën ullinj”( Non c’e paca tra gli ulivi” ) me historinë e trishtë të një bariu, mbas kthimit nga burgu për një krim të pakryer ai u hakmor ndaj çifligarit që i kishte zaptuar tokën, i kishte marrë të dashurën dhe në fund i kishte vrarë dhe motrën! Por, gjendja në Ukrainë është shumë më tragjike se filmi që mbyllet me fund të lumtur, sepse luftës atje sot, siç “duken bathët” nuk i dihet e as nuk i shihet fundi. Përmenden skenarë ndarës berlinez, gjeorgjian, jug-korean, izraelit dhe bjellorus, flitet për përfundimin e luftës, por paqja dhe armëpushimi mbeten dhe më larg! Këtë fakt të trishtë e pohojnë shumica dërmuese e ekspertëve dhe politologëve më të njohur ndërkombëtarë në Gjermani, Francë, SHBA, Britani dhe gjetkë.
Sidomos, pas dështimit të bisedimeve në Stamboll më 16 maj dhe telefonatës së dështuar Trump–Putin më 19 maj, “dorëheqjes” së pritshme të Trumpit nga ndërmjetësimi midis Rusisë dhe Ukrainës dhe pohimeve të Putinit se nuk ka në plan ndonjë takim me Zelenskin; pa bërë sipas tij, bisedime për “një memorandum dhe ky i mundshëm, ku të përcaktohet korniza e mundshme e një marrëveshjeje të ardhshme”; kësisoj, armëpushimi ka thjesht dëshirë e mirë (wishful thinking). Akoma më e largët apo dhe utopike duket paqja. Ama paqe jo sipas 5 skenarëve të mësipërm me plot dyshime dhe rreziqe për Ukrainën, por për një paqe ashtu si e duan Ukraina, Europa dhe Perëndimi dhe mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.
Çka do të thotë tërheqja e Rusisë nga Ukraina, e shoqëruar me garancitë e nevojshme prej saj dhe nën mbikëqyrjen amerikane/europiane për mospërsëritjen e cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të një vendi tjetër. As paqe “alla ruse” me plot “Jo” për Ukrainën – “Jo” në NATO, “Jo” në kufijtë e vitit 2014, “Jo” me ushtri, “Jo” kështu dhe “Jo” ashtu. Mbasi kështu ajo nuk është paqe e drejtë dhe as armëpushim, por pushtim, dorëzim dhe kapitullim i Ukrainës, i hapur ose i heshtur, pak rëndësi ka!
Ose ndryshe, kjo do të thotë, siç shprehet politikani dhe gjenerali i njohur gjerman Roderich Kiesewetter, “që Ukrainën t’ua hedhësh qenve”. Me një paqe të tillë, me siguri që oreksi ekspansionist rus do të rritet më shumë, për ta gllabëruar gjithë Ukrainën, për të thyer kështu dhe vetë NATO-n. Këtë e ka konfirmuar ditët e fundit dhe Norbert Rõttgen, zv.kryetar i Grupit Parlamentar të CDU-CSU-së, ndër ekspertët më të mirë të politikës së jashtme dhe të sigurisë; ai thotë se Rusia dhe Putini duan të rikthejnë Perandorinë e dikurshme cariste apo komuniste.
Ukraina është stacioni i tyre i parë, pas të cilës ata nuk do të ndalen në synimin e tyre agresiv. Kjo u pa edhe në Stamboll, ku ideologu i Putinit, Vladimir Medinski, u tha bashkëbiseduesve ukrainas se Rusia kërkon aneksimin zyrtar të 4 rajoneve, ku ka shumicën nën kontroll, ndryshe, më vonë ata do të kërkojnë 7 rajone! Ai u tha bashkëbiseduesve nga Kievi se e dinte që u ishin vrarë familjarë dhe se po nuk do të heqin dorë, atyre do t’u vriten dhe më shumë akoma! Zhvillimet më të fundit po vërtetojnë se sa të drejtë ka historiani i mirënjohur francez, Nicolas Tenzer, i cili në best sellerin e tij “Lufta jonë” nënvizon rëndësinë vendimtare të “diplomacisë së luftës”.
Se vetëm kështu Ukraina do të fitonte terren, duke marshuar drejt fitores në frontin e luftimeve dhe pas kësaj, mund të uleshin në tryezën e bisedimeve kudo qoftë për një diplomaci të suksesshme paqeje. Mirëpo sot çuditërisht nën ndikimin e Trump-it po ndodh e kundërta: SHBA-të po mundohen pa sukses ta përfshijnë Rusinë në “diplomacinë e paqes”, edhe pse Moska vazhdon “me diplomacinë e luftës”. Madje, ekspertja e mirënjohur gjermane, Claudia Major, nxjerr në pah kontrastin e madh midis “Perëndimit, i cili po e përdor diplomacinë si mjet për mbarimin e luftës dhe Moskës, e cila po e shfrytëzon diplomacinë si mjet për fitoren e luftës”!
Vetë Putin në mesazhin për Presidentin Trump është shprehur se Rusia do të vazhdojë luftën deri në realizimin e pikësynimeve të saj dhe çrrënjosjen e shkaqeve themelore që çuan në atë luftë, të cilat sipas tij, qëndrojnë tek Ukraina. Dhe Rusia ka bërë një luftë të tillë kundër Suedisë në vitet 1700, e cila zgjati plot 20 vjet. Mirëpo, Presidenti Trump, në vend të bënte çmos me “diplomacinë e fortë” që premtoi gjatë fushatës presidenciale, e ka “ka kthyer pllakën”, duke e shpallur pothuajse hapur ndryshimin epokal ndaj Rusisë, thelbi i të cilës është normalizimi i marrëdhënieve, tregti, bashkëpunim ekonomik dhe lulëzim biznesi. Këtë ua tha dhe liderëve europianë pas bisedës me Putinin, të cilët shtangën nga habia. Atij qëllimi në fakt i shërbyen kryesisht dhe 125 minutat e telefonatës Trump–Putin më 19 maj.
Pavarësisht nga gjendja e nderë, ata folën si dy miq të vjetër, duke iu drejtuar njëri-tjetrit me emrin e parë. Putini, i cili bisedën e bëri fare i shpenguar gjatë një vizite në një shkollë muzikore në afërsi të Soçit, nuk harroi ta uronte Trump-in as për lindjen e nipit të tij të 11-të. Biseda ishte aq e këndshme dhe Ushakov, këshilltari i afërt i Putinit, tha se ata as nuk donin që ajo të mbaronte. Madje, disa analistë dhe gazetarë të huaj me përvojë këto ditë pohojnë se Trump ende nuk po e kupton se pas çdo telefonate me të, Putini tregohet akoma më i ashpër sepse kupton dobësitë e Trump-it. Ja, shihni, pas 3 telefonatave të 12 shkurtit, 18 marsit dhe 19 majit, Rusia i përshkallëzoi tej mase sulmet ndaj Ukrainës dhe bombardimet e rënda kudo, duke përfshirë objekte civile në Kiev.
Nisur nga sa sipër, gazetari i mirënjohur britanik Steve Rosenberg, i cili në 20 vitet e fundit ka qenë korrespondent i BBC-së në Moskë pohon se Putini është fituesi i madh i pokerit global gjeopolitik, ai po luan me kohën dhe me Trump, duke penguar dhe minuar një strategji dhe veprim të qartë paqeje në Ukrainë. Po sipas tij, Putini nuk ka asnjë interes për armëpushim dhe paqe, por “luan me dy porta”, nga njëra anë ta marrë me të mirë për “t’u hedhur hi syve” Trump-it dhe nga ana tjetër të përparojë në frontin e luftimeve, në mënyrë që të sigurojë sa më shumë “llokma strategjike” dhe pse jo fitoren në Ukrainë për të vijuar dhe gjetkë më vonë. Sipas ekspertëve, bisedat e Trump me homologët europianë ishin sa “për të larë gojën” dhe për t’i njoftuar për kthesën e tij të madhe me Rusinë se sa për paqen. Kjo u bë sërish e qartë dhe ditët e fundit kur SHBA-të kanë kërkuar heqjen si joligjor të termit “agresioni rus” nga deklarata e ardhshme e G-7.
Po ashtu, ka të ngjarë që agresioni rus në Ukrainë të mos përmendet as në Deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s në Hagë më 24–25 qershor 2025. Në fakt, puna për këtë paqe nisi mbrapsht në Shtëpinë e Bardhë, pas 21 janarit 2025, pa një hartë rrugore, pa një strategji, pa kërkesa minimale dhe maksimale, pa taktika konkrete, pa konsultim me BE-në, me kulaç dhe pa asnjë kulaç ndaj Moskës, më shqip pa asnjë dëshirë për një paqe të tillë. Vërtet që kohët e fundit, duke parë reagimin kundërshtues dhe vetë brenda radhëve të tyre dhe veprimet e Putinit, administrata e Presidentit “Trump” ka zhvilluar disa konsultime me partnerët europianë, nëse mund të quhen të tilla dhe pas telefonatës me Putinin më 19 maj, Trump telefonoi të gjithë liderët kryesorë të BE-së.
Zv.Presidenti Vance gjithashtu i ka zbutur ndjeshëm tonet, duke folur për një ekip amerikano-europian etj.. Mirëpo, këto janë më tepër akte dhe fasadë diplomatike kozmetike, të cilave u mungon sfondi, thelbi dhe përmbajtja e duhur. Lidhur me këtë aspekt madhor, ish-Komandanti i Trupave Amerikane të NATO-s në Europë gjatë viteve 2014–2017, Gjenerali Ben Hodges, në një intervistë më 23 maj për “Le Monde” thekson se për SHBA-të do të ishte gabim fatal që të ndahej nga Europa. Me gjithë fuqinë e madhe ushtarake, SHBAtë nuk mund t’u bëjnë ballë të vetme sfidave serioze gjeopolitike dhe ushtarake; ato kanë nevojë për aleatë.
Dhe aleatët më të besueshëm dhe më të sprovuar për ta në 80 vitet e fundit kanë qenë dhe mbeten Europa, Kanadaja dhe Australia. Të ndahesh me ta dhe të bësh kauzë me Rusinë është tradhti që mund t’u kushtojë shumë dhe SHBAve. Po sipas Hodges, mbrojtja dhe ndihma ushtarake amerikane për Kievin nuk është thjesht bujari, ajo ka të bëjë shumë me vlerat, por edhe vetë interesat amerikane. Në këto situata të ndërlikuara, liderët europianë po mbajnë qëndrimet e duhura ndaj SHBA-ve si dhe në koherencë, kohezion dhe konvergjencë me njëri-tjetrin dhe me mesazhe solidariteti ndaj Kievit dhe në bashkëpunim me aleatë të tjerë.
Kështu, më 19 maj BE-ja nënshkroi në Londër me Britaninë e Madhe Marrëveshjen Strategjike me 24 pika, një kapitull i ri në marrëdhëniet e tyre, një “exit” nga BREXIT, plot 5 vjet mbas “divorcit” të tyre. Mbrojtja, siguria dhe shkëmbimi i të dhënave sekrete, prania e UK-së në takimet e ministrave të Mbrojtjes dhe forume të tjera të rëndësishme janë komponentë jetikë në këtë fushë. Ndërkohë, ajo po ecën me shpejtësi drejt procesit historik të riarmatosjes dhe kthimit në një Bashkim të Madh Mbrojtës. Në këtë kuadër, më 27 maj BE-ja miratoi fondin gjigant hua prej 150 miliardë euro për mbrojtjen, ku do të marrë pjesë Britania e Madhe dhe disa vende të tjera aleate.
Gjermania po ashtu po intensifikon përpjekjet për rivënien në punë të industrisë së mbrojtjes dhe fuqizimin e Bundesvehrit, me qëllim që të bëhet së shpejti fuqia më e madhe ushtarake në Europë. Së fundi, ajo ka njoftuar se vitin e ardhshëm do të rrisë në 3,5 për qind shpenzimet ushtarake për NATO-n, plus 1,5 për qind për modernizimin e infrastrukturës. Më 20 maj, Kancelari Merz dhe ministri i Mbrojtjes, Pistorius, shkuan në Lituani ku takuan efektivët e Brigadës së 5-të të tankeve në kufi me Rusinë, e para njësi ushtarake gjermane jashtë vendit qysh nga viti 1945. Në vijim, më 21 maj, BE-ja miratoi paketën e 17 të sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë, ashtu siç bëri dhe Mbretëria e Bashkuar. Këtu vlen të theksohet se sanksionet kanë efekte të mëdha në dobësimin e ekonomisë ruse.
Tjetër gjë se barrën e tyre Rusisë ia kanë lehtësuar ndjeshëm Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Kështu, sipas Rûdiger von Fritsch, ish-ambasadori gjerman në Moskë, deri në vitin 2018 si pasojë e këtyre sanksioneve, inflacioni në Rusi është rritur 12 për qind, çmimet e patates janë katërfishuar, nafta nga 50 tani zë vetëm 25 për qind të të ardhurave nga eksporti, ndërkohë ekonomia ruse gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka rënë në 1,4 nga 5 për qind në semestrin e mëparshëm etj.. Tjetër gjë se barrën e tyre Rusisë ia kanë lehtësuar ndjeshëm Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.
Tani, nëse SHBA-të do të vijojnë, siç kanë nisur bashkëpunimin me Rusinë si miq dhe partnerë me sloganin “Ndryshim nëpërmjet tregtisë” (Change through trade) atëherë kjo do t’ia bëjë akoma më të lehtë punën Rusisë dhe do t’ia vështirësojë së tepërmi atë BE-së dhe Ukrainës. Mirëpo, në fund të fundit, nëse nuk vendosen as sanksione dhe nuk i dërgohen ndihma ushtarake Kievit, atëherë çfarë të bëjë BE-ja, të qëndrojë duarkryq e të shohë kapitullimin e turpshëm të Ukrainës dhe bashkë me të vlerat dhe mbijetesën e vet? Kurrsesi! Ja pse, pa lënë pas dore demarshet diplomatike në të gjitha format dhe format, aforizmi i njohur latin “nëse do paqe, përgatitu për luftë” sot tingëllon më aktual se kurrë. Ndryshe “nuk ka paqe nën ullinj” dhe ca më pak në Ukrainë.