Një aksident tragjik ka ndodhur në qytetin e Malagas, ku tre shqiptarë kanë humbur jetën. Ngjarja ka nisur pas një përpjekje për grabitje në një farmaci në rrugën Lope der Rueda, në lagjen Puerto de la Torre.
Tre shqiptarë tentuan të grabisin një farmaci, por dështuan dhe u larguan me shpejtësi në një automjet të fuqishëm. Policia Kombëtare dhe ajo vendore u vu menjëherë në ndjekje të tyre.
Sipas agjencisë EFE, gjatë arratisjes, grabitësit morën një kthesë të gabuar duke hyrë në drejtim të kundërt në autostradën A-7 drejt Torremolinos. Në atë moment u përplasën me makinën e nën-inspektorit 48-vjeçar, i cili nuk po merrte pjesë në operacion, por po kthehej në shtëpi pas një turni nate. Si pasojë e përplasjes shpërthyen në flakë dy makinat.
Sipas autoriteteve të Këshillit të Qytetit të Malagës, zjarrfikësit nga stacionet Churriana, Carretera de Cádiz dhe Martiricos mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të nxjerrë trupat nga mjetet e djegura. Tre personat në makinën e grabitësve u gjetën të pajetë, ndërsa oficerët e Policisë Lokale nxorën nga makina nën-inspektorin, por fatkeqësisht nuk mundën t’i shpëtonin jetën.









