Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar sot pamje dhe materiale të tjera që, sipas tij, vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit. Ai deklaroi se procesi elektoral ishte një farsë dhe nuk përfaqëson vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë.
“Zgjedhjet e 11 majit janë të paligjshme. Janë një farsë që nuk kapërdihet,” u shpreh Berisha, duke theksuar se kjo çështje është tashmë edhe pjesë e diskutimeve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Ai po ashtu përmendi një editorial të rrjetit televiziv amerikan Fox News, i cili sipas tij është ripublikuar nga RealClearPolitics, duke e cilësuar këtë si një dëm të madh për imazhin e kryeministrit Edi Rama në arenën ndërkombëtare. Berisha përdori përsëri nofkën “Ramaduro”, duke e krahasuar Ramën me liderin autoritar të Venezuelës, Nicolás Maduro.
PD kërkon që zgjedhjet të konsiderohen të pavlefshme dhe ka theksuar se do të vazhdojë betejën për mbrojtjen e votës së lirë në të gjitha instancat vendase dhe ndërkombëtare.