Rinumërimi i votave në qarkun e Fierit zbuloi qindra vota të tjetërsuara dhe prodhoi ndryshim rezultati brenda listës së hapur të Partisë Socialiste, ku Zegjine Çaushi humbi vendin e deputes ndaj kandidates tjetër socialiste, Maldrita Bardho.
Por numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku, njëherazi drejtuese politike e qarkut të Fierit e konsideron këtë si “produkt të gabimit njerëzor dhe të lodhjes”.
“Është e kuptueshme lodhja dhe si rrjedhojë, gabimi njerëzor”, i tha Balluku BIRN përmes një zëdhënësi, duke shtuar se numëruesit kishin punuar për 7 ditë me radhë. Ajo këmbënguli gjithashtu se nuk kishte pasur deformim të votës duke e vënë theksin te mosndryshimi i rezultatit të partive politike.
“Deformim i vullnetit të votuesve, në kuptimin tim do të thotë, ndikim në ndryshim të rezultatit… Fakti që subjektet politike edhe pas rinumërimit, ruajtën plotësisht renditjen e tyre dhe votat plus apo minus ishin minimale, tregon se nga numëruesit e të gjitha forcave, është bërë një punë e përgjegjshme dhe më e rëndësishmja”, tha Balluku.
Përfituesi kryesor i votave të tjetërsuara rezultoi të ishte zv.ministri i Ballukut, Ceno Klosi, i cili në fund të procesit të rinumërimit kishte 813 vota më tepër sesa në kuti.
Duke iu referuar këtij rasti, Balluku këmbënguli se diferenca e madhe e votave lidhej me numrin e madh të votave që Klosi kishte marrë.
“Ndryshimet në rinumërim nuk kanë afektuar renditjen e kandidatëve dhe marzhi i gabimit padyshim është relativ me numrin e votave,” tha ajo.
Zëvendëskryeministrja Balluku minimizoi edhe ndryshimin e rezultatit mes dy kandidateve Çaushi e Bardho, duke thënë se vendimmarrja se si do të procedohej ishte në dorën e këtyre të fundit.
“Rasti i 10 votave diferencë mes Maldrita Bardhos dhe Zegjine Caushit, sigurisht do të jetë një çështje që do të mbetet në diskrecionin e plotë të kandidateve për të proceduar më tej,” tha ajo, ndërsa shtoi se rinumërimi provoi fitoren e Partisë Socialiste.
Rihapja e kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në qarkun Fier, që u mbyll të mërkurën zbuloi tjetërsim të votave brenda listave të hapura të subjekteve zgjedhore, duke kaluar me qindra vota në favor të kandidatëve të caktuar të Partisë Socialiste dhe koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike.
Pothuajse gjysma e votave të tepërta të Klosit ishin devijuar nga kandidati tjetër socialist, Klevis Jahjaj. Nga krahur tjetër, kandidatja demokrate Silvana Hasaj ka rezultuar se ka marrë afro 700 vota plus në mënyrë të padrejtë, ndërsa kandidatët e tjerë në listën e përbashkët të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” rikuperuan dhjetra vota që nuk u janë njohur gjatë procesit të numërimit.
Organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë procesin zgjedhor i konsiderojnë rezultatet e rinumërimit në Fier si shtrembërim të vullnetit të votuesve me urdhër politik të partive dhe kërkojnë hetim penal.
“Rinumërimi i Fierit duhet të shoqërohet me një hetim penal për KZAZ-të problematike, për të vendosur përpara ligjit trafikuesit partiakë të votave, të cilët në thelb kanë shtrembëruar vullnetin e qytetarëve, pasi në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një gabim njerëzor, por me një urdhër politik,” tha Rigels Xhemollari, drejtues i “Qendresa Qytetare”./BIRN