Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një deklaratë për mediat tha se inceneratori i Elbasanit është një aferë kriminale që po helmon qytetin duke pasuruar Edi Ramën, me lejen e SPAK-ut.
Blushi u shpreh se tymi që ngrihet nga landfilli i Elbasanit nuk është thjesht ndotje mjedisore por sipas tij një simbol i një krimi shtetëror, i një afere korruptive që po helmon qytetetin dhe shëndetin e banorëve.
“Afera e inceneratorëve është një ndër skandalet më të mëdha të këtyre 30 viteve – një aferë ku janë zhdukur qindra miliona euro nga taksat e shqiptarëve, për projekte që ose nuk ekzistojnë, ose funksionojnë vetëm për të prodhuar faturime fiktive dhe ndotje reale.
Elbasani është dëshmia më flagrante: një pseudo-incenerator që për vite të tëra ka mbuluar qytetin me tym, ndërkohë që drejtësia hesht dhe nuk guxon të marrë të pandehur ideatorin, përfituesin dhe pronarin “de facto” të inceneratorëve: Edi Ramën, që inceneratorët i ka quajtur “histori suksesi”, ai që i ka mbrojtur publikisht hajdutët, që i ka quajtur vjedhjet “folklorike”, ndërsa ka garantuar që skemat kriminale të vijojnë pa u ndalur.
Edhe sot, ndërkohë që një pjesë e rrjetit mafioz është në hetim, pagesat ndaj inceneratorëve vijojnë nga buxheti i shtetit – një tallje e papranueshme me ligjin, me qytetarët dhe me paratë e tyre.
Kjo ndodh për shkak se SPAK vijon ta cilësojë këtë aferë një krim intelektual, duke mbuluar të vërtetën, mbrojtur përgjegjësit dhe duke u fshehur si struci pas reve toksike të korrupsionit.”, u shpreh Blushi.