Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama. Kryeministri sot tha se do të kontrollohet territori me dronë për të shmangur ndërtimet pa leje.
Bardhi në rrjetin social ka postuar një deklaratë të Ramës në vitin 2022 ku thoshte kontrolli i territorit do të behet përmes dy satelitëve në kohë reale.
“Edi Rama dje dhe sot, nga satelitët fantazëm tek dronët luftarakë!
Ajo që nuk ndryshon prej 12 vitesh është epoka e mashtrimit të shqiptarëve nga Edi Rama. I njëjti mashtrim në 2022, i njëjti mashtrim edhe sot. Ndryshon vetëm “mjeti”: nga satelitët kemi kaluar tek dronët!
E gjitha për të justifikuar aferën e radhës, para të taksapaguesve që jepen për qokë personale dhe që nuk shërbejnë për asgjë! E vërteta e kontrollit të territorit është që njerëzve u shkelet syri para zgjedhjeve për t’u marrë votën, pastaj shpërthejnë “muçërit” dhe u marrin shpirtin dhe kursimet e jetës.
Për pasojë paligjshmëria nuk buron nga njerëzit. Një qeveri që u shkel syrin njerëzve për të shkelur pak ligjin në këmbim të votës nuk e zgjidh problemin as me satelitë fantazëm, as me dronë imagjinarë. Problemi është vetë Edi Rama!”, shkruan Bardhi.