Lamtumirë miku im!
Sot pata një tronditje të fortë emocionale, nga një lajm tejet i dhimbshëm! Një artist dhe njeri i jashtëzakonshëm, aktori, regjisori dhe dramaturgu i shquar, Naun Shundi, tani na buzëqesh nga parajsa. Fjalë fatale, por e pashmangshme. Rrallëkush e beson. Iku në një moshë fare të re, në kulmin e energjive dhe të krijimtarisë.
Nauni ishte demiurg i teatrit, një krijues bashkëkohor i kalibrit të madh, një artist i përkorë, nga ata që na vijnë shumë rrallë dhe i përkasin një race të pavdekshme artistësh. I kishte hije mençuria, zgjuarsia, talenti, imagjinata, fisnikëria, gjestet, fjala, loja aq fine në ngjizjen e figurave dhe karaktereve. Absolutisht i papërsëritshëm. Nga ata që krijuan kozmogoninë e teatrit shqiptar, me elementë modernë, novatorë, thellësisht origjinalë e të mahnitshëm.
E konsideroj fat që bashkëpunova me këtë artist të madh për vënien në skenë të dramës “Osman Taka”, në vitin 2023, një produksion i mrekullueshëm dhe i rrallë, mbështetur nga miku ynë Alket Veliu.
Nauni ishte nga ata krijues që i mjaftojnë vetvetes dhe që mbeten pjesë e trashëgimisë sonë artistike kombëtare. Ai e ka skalitur testamentin e përjetshëm me veprat e tij të shumta, si aktor, regjisor dhe dramaturg.
Rruga për poshtë është edhe rruga për sipër, thoshte Herakliti. Naun Shundi gjatë karrierës së tij mbi 45 vjeçare në teatër, krijoi mitin e tij artisik, ndaj do të ketë ringjalljet e veta, si një artist i mirëfilltë, në artin shqiptar, për t’i dhënë dinjitet e forcë teatrit dhe dramaturgjisë.
Nuk ka dyshim se kështu do të ndodhë përherë. Saga e artistëve të tillë nuk mbyllet kurrë. Naun Shundi do të mbetet sa Njeriu-Artist, aq dhe Artisti-Njeri.
Ngushëllime familjes, miqve, bashkëshortes Monda dhe vajzave të tij të dashura!
Lamtumirë miku im i shtrenjtë! Shpirti të ndriçoftë që nga thellësitë e Parajsës!









