Ngjarjet dhe zhvillimet tragjike në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, të nxehtit afrikan dhe zjarret masive shkatërruese të këtij viti kanë lënë disi në hije tre jubile të shënuar europiane – 40 Vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Hapësirën Schengen( Shengen) ( 14 Qershor 1985); 35 Vjetorin e Konventës zbatuese ( 19 Qershor 1990) dhe 30 Vjetorin e fillimit të funksionimit të zonës Shengen me tri liritë e saj madhore ( 26 Mars 1995)si një trinom jetik i Europës pa kufij.
Veçse lidhur me sa sipër, nuk janë të paktë njerëzit, përfshirë dhe me shkollë e të rinj, që nuk e dinë dhe habiten kur dëgjojnë se Shengen, hapësira e madhe europiane e lirisë mban emrin e fshatit të vogël me vetëm 450 banorë që ndodhet në një cep të Dukatit të Madh të Luksemburgut, në kufi me Francën dhe Gjermaninë.
I njohur kryesisht për vreshtarinë, fshati Shengen mori famë në Europë dhe në botë në këto 40 vitet e fundit. Pikërisht aty, 4 dekada më parë u zhvilluan bisedimet dhe ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes për krijimin e hapësirës Shengen. Një akt historik me simbolikë tejet domethënëse, me jehonë të madhe europiane dhe ndërkombëtare.
Natyrisht që në ”pagëzimin” e hapësirës së madhe europiane të lirisë me emrin e atij këndi të vogël ndërkufitar luajti rolin e vet përcaktues dhe pozicioni gjeografik i fshatit Shengen, si një copëz e Luksemburgut të vogël por me histori të madhe europiane dhe si vend bashkëthemelues i BE-së, NATO-s, etj.
Më konkretisht, ishte mesi i viteve 80, mbi dy dekada pas krijimit të BE-së, kur në disa shtete anëtare të saj, sidomos në Francë dhe Itali ishin bërë urgjente dhe tejet shqetësuese pengesat, kontrollet e për pasojë vonesat e stërzgjatura të kamionëve në kufi gjatë transportit të mallrave, me një kosto të madhe financiare. Kësisoj, Tregu Unik i sapokrijuar nuk po përballonte dot qarkullimin në rritje.
Përvoja këtu nuk mungonte. Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu, liderët e të cilave kishin rënë dakord qysh në Shtator të vitit 1944 në egzil në Londër për krijimin e BENELUX, modeli dhe nisma e parë për lëvizjen e lirë dhe pa kontrolle të njerëzve dhe mallrave brenda atyre tri vendeve. Mbi këtë bazë dhe përvojën e BE-së gjatë gati 3 dekadave, ato u dakordësuan me dy bashkëthemelueset e tjera të saj, Gjermaninë dhe Francën për projektin e ri për një hapësirë të lirë veprimi dhe lëvizjeje mes tyre dhe më gjerë në Europë. Sepse askush tjetër nuk e realizonte këtë mision më mirë se Benelux bashkë me boshtin franko-gjerman të BE-së.
Nga ana tjetër, zgjedhja simbolike e fshatit Shengen, një cep domethënës mes Luksemburgut, Francës dhe Gjermanisë dhe zgjerimi i asaj hapësire me dëshirë dhe pa dallime jepte mesazhin madhor se fitues të saj janë të gjithë dhe pa dallim.
Hapësira më e madhe europiane e lirisë, siç njihet, e cila erdhi vazhdimisht duke u zgjeruar tanimë dhe në lindje është dëshmia më bindëse e suksesit, si të Fshatit ashtu dhe të Zonës Shengen. Përfitueset më të reja të saj janë Bullgaria dhe Rumania, të cilat u bashkuan me Hapësirën Shengen më 1 Janar të këtij viti.
Tani aty janë 25 vende anëtare të BE-së dhe 4 shtete vende të asociuara me të, në një sipërfaqe prej 4,63 milionë km katrore dhe një popullsi prej 457 milionë banorë.
Ndërkohë, është me shumë rëndësi të nënvizohet se krahas lëvizjes së lirë, Marrëveshja Shengen përmban dhe 33 nene mbi bashkëpunimin policor dhe doganor në luftën kundër krimit, drogës, azilit të paligshëm, etj. Për të gjitha këto arsye dhe motive, Schengen njihet zyrtarisht si «hapësira e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë » Përfitues i pjesshëm i tij nga viti 2010 e këtej është dhe vendi ynë, falë liberalizimit të vizave për shtetasit tanë.
Gjithsesi, itinerari i gjatë i Shengenit nuk ka qenë i lehtë, përkundrazi, ai ka kaluar mes përballimit dhe kapërcimit të shumë pengesave, krizave dhe sfidave midis vetë vendeve anëtare dhe nga jashtë. Pa shkuar larg në histori, rikujtojmë se sidomos kriza e rëndë e azilit në vitin 2015 me pasojat e saj të mëdha që vazhdojnë të ndihen edhe sot e kësaj dite dhe shpërthimi i pandemisë COVID – 19 që çoi dhe në mbylljen e përkohshme të kufijve të BE-së hodhi hije të mëdha dyshimi për mbijetesën e Shengenit; madje pati jo pak zëra ekstremistë që shpallën dhe ” vdekjen klinike” të saj.
Por, pavarësisht nga lëkundjet e rastit, kjo nuk ndodhi dhe pikërisht në këtë jubile të trefishtë, kufijtë e Europës mbeten të hapur. Ndonëse, në kushtet e rënduara të azilit të paligjshëm, forcimi i kontrolleve dhe shtrëngimi i masave ndaj tij është i nevojshëm. Synimi kryesor është që të pengohet sabotimi dhe abuzimi me lëvizjen e lirë i vendeve të treta nga kontrabandistët dhe elementët kriminelë.
Këtu është momenti të theksojmë se mbyllja e hapësirës Schengen, siç kërkohet ndonjëherë nga forca politike ekstremiste nuk është një «llaf goje», sepse dëmet prej saj do të ishin vërtet therëse. Kështu, sipas përllogaritjeve zyrtare, çdo vend anëtar do të humbiste 5 – 18 miliardë euro në vit, 7,5 miliardë euro vetëm si shtim i kontrolleve, turizmi 10 – 20 miliardë euro dhe tregtia 10 – 20 për qind; për pasojë, GDP- ja e BE-së në vitin 2025 do të ulej me 1 për qind ose 1, 43 trilionë euro; po kështu, 200 milionë vetë që lëvizin në pikat kufitare në Schengen do të pësonin humbje vjetore nga 1,5 deri në 5 miliardë euro, etj.
Dhe më keq akoma, do të anuloheshin të gjitha marrëveshjet e BE-së për liberalizimin e vizave, për t’u ribërë tanimë me secilin vend anëtar dhe me pasoja të tjera të paparashikueshme.
Meqenëse kjo temë me variacionet e saj këto 6 – 7 vitet e fundit ka qenë dhe mbetet ndër temat e mprehta edhe të politikës tonë në rajon, sidomos pas tentativave për krijimin e ‘Schengen’ ballkanik ose nismës ” Balkan i Hapur”, në vijim të analizave të mëparshme kritike dhe nga autori i këtij shkrimi, le të bëjmë, qoftë dhe kalimthi, një krahasim historik, për të nxjerrë në pak kontrastet e thella mes tyre.
Siç u përmend dhe më parë, ‘Shengeni’ europian u krijua gati 30 vjet pas themelimit të BE-së nga vende me tradita në fushën e demokracisë, ekonomisë së tregut, shtetit të së drejtës, etj. Këto realitete mungojnë në një masë shumë të madhe në rajonin tonë, ku ne p.sh., sapo kemi çelur negociatat e anëtarësimit dhe ende nuk dihet kur do të anëtarsohemi, pavarësisht nga objektivi për në vitin 2030.
Shengeni europian filloi nga funksionimi 10 vjet pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve përkatëse; lind pyetja, kur ai u krijua aq vonë, përse « shengenistët » tanë u ngutën tej mase dhe e deshën mini-shengenin « o tani, o rrash e vdiqa?»
Si ‘Benelux’ BE-ja dhe ‘Shengen’ europian u krijuan me vullnetin e lirë të vendeve pjesëmarrëse dhe pa imponim nga lart. Krejt ndryshe, ‘Ballkani i Hapur” nisi dhe vazhdoi i nxitur dhe imponuar nga lart, pa bisedime dhe demarshe paraprake diplomatike, madje me etiketime e demonizime, duke tentuar t’u « mbyllë gojën » të tjerëve, sipas parimit « merre ose lere! ( take it or leave it!)
Gjithashtu, ‘Benelux’, ‘Shengeni’ europian, ”Balltiku” dhe ”Visegradi” lindën natyrshëm si përparësi të politikës së jashtme, kur në axhendën e tyre dhe ndërkombëtare nuk kishte më shumë se 2 – 3 çështje të nxehta.
Ndryshe ndodh sot me Ballkanin Perëndimor, axhenda e të cilit ka kohë që po «plas» nga lloj-lloj kushtesh, krizash, konfliktesh, reformash, ndryshimesh në rrugëtimin e tij drejt BE-së. Më konkretisht, rajoni ynë përballej me shumë urgjenca si COVID – 19, rifillimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Serbi – Kosovë me derivatet e tyre, trazirat dhe protestat masive në Serbi, kriza të herë pas hershme në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, reformat madhore në vendet e Ballkanit Perendimor dhe sidomos ajo zgjedhore dhe e drejtësisë te ne dhe plot të tjera.
Për pasojë, Mini-‘Shengen’ ose Ballkani i Hapur jo vetëm që ishte «luks« diplomatik i panevojshëm, por ai linte vend për shumë dyshime, hezitime e rezerva të çdo lloji. Ndërkohë, u vërtetuan hipotezat, analizat dhe pohimet se nga ky Shengen, ndryshe nga parimi «win – win » d.m.th. «të gjithë fitues» përfituesja më e madhe ekonomike dhe sidomos politike do të ishte Serbia; brenda saj për marketing politik dhe për të rritur kuotat elektorale të Vuçiç, në dëm të Kosovës.
Kurse jashtë vendit, i jepej goxha «kulaç» Serbisë, edhe pse ajo tregon vetëm «kërbaç» dhe «aksesorët» e duhur për zbukurimin e imazhit të saj ndërkombëtar, si gjoja vend i hapur, i dialogut dhe me Shqipërinë, i tregtisë së lirë; krejt ndryshe, sipas Beogradit është gjendja me Kosovën, duke numëruar të këqiat e saj. Çka mund të shtronte pyetjet retorike nga shumë vende:« Kur qenka kështu puna, përse ta njohin Kosovën? »
Gjithsesi, dallimi më i madh dhe shqetësues për krijimin e mini- ‘Shengen’ apo ” Ballkan i Hapur” e ca më pak për suksesin e tij është ai politik. Në rastin e Shengen europian pati një vullnet, predispozicion, klimë, atmosferë e për rrjedhojë konsensus të plotë politik; madje, ky i fundit ishte farkëtuar për mbi 30 vite falë miqësisë dhe bashkëpunimit model të atyre pesë vendeve dhe të tjerave më vonë në kuadrin e BE-së. E kundërta ngjet me vendet e mini – ‘Shengen’, ku në vend të një kësaj miqësie ka konflikte, probleme dhe ndasi të mëdha historike dhe aktuale.
Dihet se kjo miqësi inkurajon vullnetin dhe konsensusin politik, si baza dhe themeli i çdo aleance dhe marrëveshje, qoftë dhe ekonomiko- tregtare. Mirëpo, për çfarë klime dhe konsensusi politik mund të flitet kur dhe 26 vjet pas përfundimit të konfliktit në Kosovë Serbia ende nuk ka kërkuar ndjesë për krimet e luftës, madje promovon autorët e tyre?
Kur ajo jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por po bën çmos për të tërhequr njohjet e shumta dhe kur i bën bllok anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare? Nuk po hymë pastaj te problemet me Malin e Zi, tendencat separatiste serbe në Bosnie dhe të tjera si këto.
Ca më keq akoma, në Ballkan mungon kohezioni dhe konsensusi politik, natyrisht në diversitet dhe brenda vendeve të tij.
Ja dhe në rastin e « Ballkan i Hapur » mazhorancat dhe opozita në të 6 vendet e rajonit ishin kundër Shengenit Ballkanik; ndasi të tilla të papajtueshme kishte dhe ka edhe midis Presidentëve dhe kryeministrave të tyre në vazhdimësi. Ca më keq akoma, ky vullnet dhe konsensus mungon ose është deficitar dhe midis dy vendeve tona vëllezër të një gjaku; edhe pse kemi nënshkruar 77 marrëveshje, shumica e të cilave kanë mbetur në letër.
Me këtë rast, le ta theksojmë se shembulli i Hapësirës Shengen tregon qartë se me gjithë rolin e madh të ekonomisë dhe tregtisë në politikat e një vendi, ato nuk mund të realizohen pa pasur paraprakisht vullnet dhe konsensus politik. Dhe më qartë këtë realitet e tregon përvoja e gati 15 viteve të fundit midis Prishtinës dhe Beogradit, ku me gjithë investimin e BE-së dhe SHBA-ve, me gjithë 20 nismat rajonale, akujt politikë nuk po shkrijnë dhe vazhdojnë të mbeten të ngrira.
Për fat të mirë tani ” Ballkani i Hapur” i takon të kaluarës, si pësim dhe mësim politik. Në vend të tij në rajonin tonë janë në proces, në frymën e Shengenit europian, dhe pse me mangësitë dhe mungesat e tyre ”Procesi i Berlinit” dhe projekti madhor i BE-së për Tregun e Përbashkët në Ballkanin Perendimor.
Ja pse është shumë më e udhës që të mësojmë dhe « kopjojmë » « frymën « e Shengen; që tregon se si Shengen, ky fshat i vogël në Luksemburg tanimë është kthyer jo vetëm në një vend muzeal por dhe në një vitrinë të gjallë e bindëse, në simbolin emblematik të Europës së madhe të tre lirive themelore.
Urojmë që tri jubiletë e sivjetme të Shengenit të na shërbejnë për një mobilizim më të madh për kryerjen me sukses dhe me frymë europiane të reformave dhe plotësimit me cilësi dhe në kohë të kushteve dhe kërkesave të njohura; me qëllim që t’i përfundojmë negociatat deri në vitin 2027, që brenda vitit 2030 të jemi anëtarësuar në BE.
Kështu do të përshpejtohet dhe objektivi tjetër madhor i hyrjes në Shengenin europian, për të gëzuar të drejtat dhe favoret si shtetas të BE-së.