Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka vlerësuar se Marrëveshja e Washingtonit ka qenë një mundësi e madhe për Kosovën. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se sapo erdhën në pushtet Albin Kurti dhe Vjosa Osmani hodhën në kosh këtë marrëveshje.
“Marrëveshja e Washingtonit – mundësia që Kurti dhe Osmani ia mohuan Kosovës! Më 4 shtator 2020 Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Uashingtonit – një dokument që i hapte rrugë forcimit të aleancës me SHBA-në dhe shndërrimit të Kosovës në nyje ekonomike dhe gjeopolitike të rajonit. Autostrada, hekurudha, gazsjellës, investime energjetike, marrëveshja për 5G, përfshirja në projektet e MCC-së dhe njohja nga Izraeli nuk ishin thjesht premtime, por hapa konkretë që Qeveria Hoti i nisi menjëherë. Në vetëm pak muaj, Kosova kishte plan të qartë zbatimi, marrëveshje me SHBA-në për investime, bisedime për korridore rrugore e hekurudhore, projekte për diversifikimin e energjisë dhe hapa të rëndësishëm drejt integrimit rajonal. Ishte vendosur një bazë e fortë për zhvillim dhe përparim”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje të tjera.
“Por Albin Kurti dhe Vjosa Osmani sapo morën pushtetin në vitin 2021, i hodhën në kosh të gjitha. Jo pse nuk ishin të dobishme për vendin, por thjesht pse nuk mbanin firmën e tyre. Ky ishte akt i pastër hakmarrjeje politike, një vendim i diktuar nga egoja dhe inati, jo nga interesat e Kosovës. Rezultati është i qartë: Kosova humbi kohë, investime, projekte strategjike dhe mundësinë për të qenë faktor i pazëvendësueshëm në rajon. Pesë vjet më vonë, edhe ata që e quanin “tradhti” e pranojnë se Marrëveshja e Uashingtonit kishte rëndësi historike. Por është vonë. Dhe përgjegjësia për këtë humbje ka emër – Albin Kurti & Vjosa Osmani”, ka shkruar Selmanaj.