Albin Kurti ka deklaruar për një aleancë të mundshme ushtarake mes Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në lidhje me këtë ka reaguar kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviç, i cili e cilëson këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë dhe kombin serb, si dhe një hap drejt Shqipërisë së Madhe.
“Kurti po përpiqet të shkaktojë përshkallëzim të konfliktit dhe të vërë në flakë rajonin. Aleancat ushtarake të drejtuara kundër Serbisë na rikujtojnë ngjarjet e viteve ’90 dhe qartësisht tregojnë se çfarë po përgatitet kundër popullit serb”, tha Vuçeviç.
Ai u shpreh se sipas tij deklaratat e autoriteteve të Prishtinës përbëjnë shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila përcakton se KFOR-i është i vetmi formacion ushtarak i autorizuar në Kosovë.
“Ne jemi të gatshëm të mbrojmë popullin tonë dhe atdheun, por nuk dëshirojmë konflikt me askënd. Serbia nuk kërcënon dhe nuk tund armë, ndryshe nga ata që duan të na kthejnë në vitet ’90”, u shpreh ai.









