Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi një sërë vendimesh për jetën e qytetarëve, mes të cilave edhe shtimi i numrit të familjeve që përfitojnë nga programi i subvencionimit të interesave të kredisë.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani njoftoi se pas ankimeve administrative janë përfshirë edhe 78 familje të tjera, të cilat tani përfitojnë kredi të buta për strehim.
“Projektvendimi vjen si akti i radhës i rëndësishëm në funksion të zbatimit të angazhimeve tona për rikuperimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe garantimit të strehimit të qytetarëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.
Projektvendimi është hartuar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi dhe ka kaluar në mënyrë të strukturuar nëpër të gjitha hallkat e procesit institucional, duke filluar nga shqyrtimi i aplikimeve, verifikimi i dokumentacionit dhe analizimi i rasteve me vendime gjyqësore apo ndryshime të kushteve teknike në terren”, u shpreh Ristani.
Gjithashtu një tjetër vendim është në lidhje me programin e ndihmës ekonomike për periudhën 1–31 korrik 2025. Këshilli Bashkiak miratoi dhe Planin Social 2025–2027 për Bashkinë Tiranë.









