Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka shpjeguar publikisht arsyet përse nuk e votoi ngritjen e 11 komisioneve të reja parlamentare.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai ka theksuar dy shqetësime kryesore që lidhen me përmbajtjen dhe mënyrën e përzgjedhjes së komisioneve.
“Lidhet me atë punë që u bë në vitin e fundit të legjislaturës së shkuar këtu në Kuvend për çështjet e dezinformimit, keqinformimit, ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në shoqëri dhe në ekonomi. Kjo këtu është strategjia, dokumenti më i mirë që Kuvendi mund të ketë miratuar gjatë legjislaturës së shkuar… Tani që gjithë puna e bërë, dokumenti po vlejnë si shembull edhe për vende rreth e qark nesh, tani zhduket propozimi, zhduket komisioni.”
“Arsyeja e dytë, patjetër që isha kundër asaj liste komisionesh që m’u duk thuajse e personalizuar dhe klienteliste… Unë mendoj që çështja e dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në shoqëri, ekonomi e zgjedhje, është një çështje që nuk ka ndryshuar. Kjo ishte arsyeja.”