Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka shprehur mbështetjen e saj për kërkesën që të vendoset një moshë minimale për aksesin në rrjetet sociale.
“Gjithnjë e më shumë vende të Bashkimit Evropian besojnë se ka ardhur koha për të përcaktuar një ‘moshë digjitale të pjekurisë’ për përdorimin e rrjeteve sociale. Dhe duhet të them, si nënë e shtatë fëmijëve dhe gjyshe e pesë nipërve e mbesave, që e ndaj plotësisht këtë qëndrim”, deklaroi ajo gjatë një aktiviteti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Vendet e BE-së si Greqia, Franca dhe Danimarka, kanë shtuar presionin muajt e fundit për të vendosur një moshë digjitale të pjekurisë, duke argumentuar se rrjetet sociale mund të kenë ndikime negative tek të miturit.









