-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ardi Stefa: Liderët i nxjerrin situatat dhe rrethanat e caktuara politike

Kryesoret

Në politikë shpesh herë thuhet se liderët lindin të tillë. Se diku, në një cep të botës apo të historisë, një njeri rritet me “yllin” e lidershipit në ballë derisa historia i hap derën dhe ai hyn me natyrshmërinë e të paracaktuarit nga fati.

Në fakt nuk funksionon kështu. Liderët nuk lindin, ata ngjizen e krijohen nga krizat, përplasjet, debati, revolta e shoqërisë, nevoja e shoqërisë për t’u udhëhequr realisht dhe nga mungesa e alternativave të tjera. Situatat e caktuara politike formësojnë karakteret, derisa në skenën politike shfaqet një figurë që guxon të marrë përsipër barrën dhe përgjegjësinë e lidershipit.

Në shoqëritë e demokracitë normale, liderët nuk janë të “nevojshëm”. Kur gjithçka shkon normalisht, institucionet funksionojnë dhe njerëzit janë të zënë me jetën e përditshme, politika nuk është udhëheqje dhe qëllim në vetvete, madje as trampolinë pasurimi. Ndërsa kur rregullat prishen, sistemi tronditet dhe besimi në drejtësi, ekonomi apo shtet shembet, atëherë lind nevoja për një figurë që të marrë përgjegjësi. Pikërisht aty, mes kaosit e pasigurisë, historia teston karakteret.

Historia ka shembuj të qartë se si çasti i duhur, përgjegjshmëria dhe marrja e përgjegjësive krijojnë liderin e duhur. Churchill do të kishte mbetur një politikan mesatar pa Luftën e Dytë Botërore. Ai u kthye në lider ngaqë Londra digjej dhe duhej dikush që të mos dorëzohej.

Mandela mund të kishte ngelur një aktivist i harruar pa Apartejdin. Ai u shndërrua në lider, se një komb i tërë kishte humbur dinjitetin. Edhe në demokracitë e konsoliduara, lideri del përballë sfidave që shkundin ndërgjegjen e shoqërisë dhe provohet në kriza.

Shqipëria, më shumë se sa lidera ka pasur politikanë që e kërkojnë pushtetin për ta përdorur. Ngaqë luhatet në një demokraci hibride e jofunksionale, në një gjendje të përhershme krize, ku gjithçka është emergjencë dhe politika nuk merr përgjegjësi përpara shoqërisë, por vetëm pushtet mbi të. Ndaj kemi me shumicë manipulatorë, oportunistë, mjeshtra të mbijetesës politike dhe propagandës.

Nëse do të flisnim për kushtet optimale të lidershipit të përgjegjshëm, në Shqipëri i gjen me shumicë: varfëri, korrupsion, pasiguri, mungesë drejtësie, emigrim masiv, mungesë shprese, arrogancë qeverisjeje dhe boshllëk moral i opozitës. Janë këto situatat që në vende normale do të lindnin një figurë që ngre kokën, që flet me ndershmëri dhe që i jep drejtim një populli të lodhur.

Ajo që mungon është diçka thelbësore: reagimi qytetar që ta detyrojë politikën të prodhojë liderë. Sepse lidershipi nuk është vetëm vullnet personal, por edhe pasqyrë e një shoqërie që kërkon më shumë. Sa kohë që shoqëria shqiptare pranon status quo-në dhe rrotullohet në vend, do të udhëhiqet nga njerëz që dinë të flasin për lidership, por jo të veprojnë si të tillë, ndërsa politika do të prodhojë të njëjtët njerëz me emra të ndryshëm.

Që çdo krizë do ta shndërrojnë në spektakël me qeverinë që bën propagandën e saj dhe opozitën që bën zhurmën dhe gjasme opozitën e saj. Dhe, kur vendi të arrijë një pikë ku nuk do të durojë më farsën e pushtetit pa përgjegjësi, do të dalë dikush që nuk kërkon të sundojë, por të udhëheqë. Deri atëherë, ne do të kemi politikanë, menaxherë pushteti, që luajnë rolin e liderëve dhe jo liderë që luajnë me fatin e politikës.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit