Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar fuqishëm pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit, duke e cilësuar si një tregues të rëndë të situatës së sigurisë dhe besimit në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Manjani shpreh shqetësimin për mungesën e besimit të qytetarëve ndaj gjykatave, ndërsa thekson se reforma në drejtësi ka sjellë më shumë tension dhe urrejtje sesa siguri dhe respekt.
Postimin i plotë:
Duke parë mllefin ekstrem në rrjete sociale pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, pyetja nuk është më besohet apo jo gjykata.
Pyetja është sa shumë urrehet gjykata në këtë vend?! Në këtë vend ku popullsia beson më shumë policinë dhe prokurorinë. Pra beson xhelatin më shumë se gjykatësin…
Kujdes!
Qëllimi i reformës në drejtësi ishte të vendoste besimin e publikut te drejtësia.
Por qenka vendosur urrejtja!
Dështim spektakolar!
Kjo nuk është klimë drejtësie.
Insistoj:
gjykatësi është zyrtari publik më i kërcënuar. E kërcënon shteti; e shan politika; e përgjon prokurori; e kërcënon pala humbëse.
Mirëpo pa gjykatës të sigurtë e të qetë nuk ka gjykatë të paanëshme.
Reforma reale në Shqipëri duhet të jetë reforma e ndërtimit të një gjykate të paanëshme, në radhë të parë të sigurtë.
Ka sigurisht disa gjëra të tjera për të bërë, por gjykata jonë është larg, ende shumë larg gjykatës së standardit europian.
Nuk ndodh askund në gjykatat e Europës këto që ndodhin këtu.”