Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. Të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 17:00 kanë votuar 32.30 për qind e votuesve.
Dalja më e lartë është në komunën e Mamushës me 64.61 për qind, ndërkaq ajo më e ulëta në Skenderaj me 23.61 për qind.









