Zëvendëspresidenti i SHBA, J.D. Vance, përmbylli sot vizitën dyditore në Izrael, ku zhvilloi takime të tensionuara në përpjekje për të mbështetur dhe avancuar planin e paqes “Trump”. Qëllimi ishte të shmanget çdo veprim që mund të minonte armëpushimin e brishtë në rajon dhe zbatimin e planit amerikan.
Megjithatë, veprimet e shpejta të Vance janë parë në qarqet izraelite si “nxitim i panevojshëm”, pasi çështjet kryesore si dorëzimi i pengjeve nga Hamasi dhe çarmatosja ende nuk janë zgjidhur. Gjithashtu, funksionimi i Qendrës për Koordinim Civil-Ushtarak (CMCC) me drejtim amerikan ka ngjallur shqetësime në Izrael për “protektoratin amerikan”, me akuza se SHBA po merr vendime ushtarake të rëndësishme në Gaza.
Kryeministri Benjamin Netanyahu, në prani të Vance, garantoi se “Izraeli nuk do të bëhet protektorat i SHBA-së”, ndërsa Vance siguroi se SHBA e konsideron Izraelin si partner të barabartë.
Ndërkohë, vizitën në Izrael e nisi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili kritikoi një projektligj të miratuar në Knesset për aneksimin e Bregut Perëndimor, duke paralajmëruar se ky veprim mund të dëmtojë perspektivën për paqe në rajon.