I kuptoj zhvatësit e parasë publike, që për 2 dekada kanë ndenjur në shtëpi dhe kanë marrë rrogë qyl në administratën publike;
I kuptoj masakruesit e pyjeve për shitjen e drunjve ilegalisht me shuma marramendëse pa investuar asnjë cent, madje dhe duke mashtruar njerëzit për m2;
I kuptoj biznesmenët për tenderët e marrë dhe investimet e tyre shumëmilionëshe brenda dhe jashtë vendit;
I kuptoj uzurpuesit e pronave publike dhe ngritjen e pallatave në çdo cep të lagjeve tona, duke fituar shumë marramendëse;
I kuptoj profiterët dhe sekserët e çdo lloji, që shërbejnë si ndërmjetës të korrupsionit ndërmjet qytetarit dhe funksionarit;
I kuptoj edhe shpërlarësit e parave të pista përmes firmave fiktive, dilerët dhe shpërndarësit e lëndëve narkotike nën mburojën politike, që po na e hemojnë fëmijët përpara syve tanë dhe ne nuk bëjmë zë;
Por, assesi nuk arrij t’i kuptoj disa intelektualë, të cilët kanë hequr të zitë e ullirit për të qenë aty ku janë sot, dhe pa fijen e turpit dalin e përkrahin një qyqan e faqezi, madje duke krijuar edhe një diskurs publik për bëmat e tij (që nuk i mban as qielli dhe as toka).
Megjithatë, ky dëm është aq minor krahasuar me modelin e liderit që po na ofrojnë këta intelektualë “me nam”, në radhë të parë, për vetë fëmijët e tyre, të cilët, kur të rriten e ta kuptojnë, do të turpërohen për absurditetin intelektual ditor të prindërve të tyre.
E di, që biri im nuk do të ma kishte falur kurrë.
*Analiza referuar situatës politike në Maqedoninë e Veriut
-Arbër Çeliku- profesor universitar, gjuhëtar, publicist, shkrimtar, përkthyes









