-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Albinot Maloku: Demokracia e penguar

Kryesoret

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt 2025, por vendi ende është pa qeveri (e cila do të duhej të ishte votuar prej kohësh). Në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje siguroi 48 deputetë, duke dalë e para në këtë proces zgjedhor. E pakënaqur që nuk doli fituese absolute në mënyrë që të mund ta krijonte kabinetin e ri e vetme, ashtu sikurse në vitin historik të saj 2021, ndaj nisi të sillej në mënyrë obskurantive. Nuk arriti ta njohë realitetin e ri, aq më pak të manifestojë aftësinë elementare demokratike – kompromisin, e të nisë angazhimin rreth krijimit të institucioneve.

Përkundrazi, ajo nisi orvatjet politike të krijimit të narrativave bllokuese. Duke qenë forcë e parë politike pas procesit zgjedhor, e kishte të drejtën e propozimit të kandidatit për fazën e parë të formimit të institucioneve të reja, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, si dhe nënkryetarëve. Ky interpretim i reduktuar i normës kushtetuese injoronte faktin se çdo e drejtë propozimi duhet të mbështetet në shumicën funksionale të votave për të pas sukses në zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Në demokracinë parlamentare të Kosovës, legjitimiteti elektoral është vetëm një bazë fillestare për ecjen e subjektit të parë pas zgjedhjeve, jo garanci e pushtetit nëse nuk plotëson kriterin e pasjes së votës së paracaktuar për një shumicë parlamentare që nxjerr legjislativin e ekzekutivin. Keqkuptimi i këtij parimi ka qenë burimi i krizave të përsëritura politike në Kosovë dhe që është shfrytëzuar maksimalisht mbrapsht, sidomos pas këtyre zgjedhjeve të fundit në vend.

Refuzimi i partive të tjera për të hyrë në koalicion me Vetëvendosjen është një vendim politik legjitim, që reflekton pluralizmin programor dhe autonominë partiake. Megjithatë, Vetëvendosje e ktheu këtë realitet në një strategji komunikimi të qëllimshme, duke ndërtuar dhe shtyrë keqas perceptimin se subjektet tjera politike e jo ajo po e “bllokon” vullnetin e qytetarëve për formimin e Kuvendit e Qeverisë mbi rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Qasje kjo që përfaqëson një formë të populizmit institucional, ku dështimi politik shndërrohet në instrument mobilizues ndaj publikut. Përmes këtij diskursi, Lëvizja Vetëvendosje synoi të zëvendësojë procesin politik me presion moral, duke e pozicionuar veten si “viktimë të sistemit”

Në përpjekje për të ruajtur kontrollin e narrativës, Vetëvendosje ndërmori veprime të cilësuara nga Gjykata Kushtetuese si aksione antikushtetuese. Mirëmbajta e pozicionit të “viktimës së sistemit” duhet të përfshinte edhe sulmet verbale ndaj Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ndërhyrjet në ndarjen e pushteteve përbën një precedent të rrezikshëm në sistemet demokratike, si Kosova është e mëton të jetë. Pas ndërhyrjes institucionale të Gjykatës Kushtetuese, rreth vijimësisë së procesit të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit procesi u rikthye në binarët formalë, por legjitimiteti politik mbeti i brishtë. Kryetari i Kuvendit u zgjodh falë ndërhyrjes së Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ia dha votën e saj zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të propozuar nga subjekti i parë – një veprim që, ndonëse funksionalizoi institucionin, uli standardin e koherencës politike të PDK-së.

Problemi nuk u mbyll këtu! Çështja e nënkryetarit të pestë që përfaqëson komunitetin serb ishte pjesa tjetër e procedurave bllokuese që do të mirëmbanin narrativën e nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila tani duhej të imponohej si gardiane mbrojtës i “kombit shqiptar”. Kjo gardiane e vetemëruar e Kosovës (Vetëvendosje), imponoi narrativen se ishte pozicionuar kundër një subjekt serb, që votohet nga qytetarët serbë të Kosovës, por mirëmbahet nga Beogradi zyrtar, pra Lista Serbe, që fitoi 9 deputetët e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për korrektësi, ky subjekt politik gjithmonë është konsideruar si degë e partisë së Aleksandër Vuçiqit në Kosovë dhe maja e angazhimi të tyre kundër Republikës së Kosovë ishte 24 shtatori i 2023, ku krerët më të lartë të këtij fraksioni politik drejtpërdrejt u përfshin në aktin terrorist të Banjskës në pjesën veriore të Kosovës.

Duke pas kompetencë të plotfuqishme e ligjore, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti nuk ndërmori asnjë hap ligjor për ta zhbërë këtë subjekt politik, për të fuqizuar zërin demokratik mes votuesve serb në Kosovë. Si rrjedhojë, asgjë nuk ndodhi, aksionet politike të nxitura nga Lëvizja Vetëvendosje në ato instanca që nuk prodhuan efekt ligjor, por vetëm elektoral. Kjo situatë u përdor si justifikim për të anashkaluar procedurat kushtetuese, e për të provuar të prezantohen subjektet tjera politike si jo bashkëpunuese në “luftën” kundër Listës Serbe, gjë që çoi në përfshirjen e LDK-së për ta shmangur bllokimin e plotë institucional, përmes votës edhe pse jo sipas praktikave parlamentare në të cilat nënkryetarët e partive përfaqësuese të komuniteteve pakicë duhet të votoheshin në pako. Lidhja Demokratike e Kosovës e vetëdijshme për mospërmbushjen e kriterit por e detyruar nga narrativa e radhës votoi nënkryetarin e pestë që ishte nga një subjekt politik serb, por jo nga subjekti shumicë i këtij komuniteti në Kuvendin e Kosovës.

Pas gjithë këtyre procedurave, radha ishte që Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, në respektim të Kushtetutës, të mandatonte të propozuarin e subjektit më të madh parlamentar me mendimin se ai duhet t’i ketë numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, kandidati i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shkoi në Kuvend pa siguruar shumicën e nevojshme, duke e lënë Kosovën për herë të parë pa një qeveri funksionale pas zgjedhjeve. Përsëri kjo situatë rinxori në pah mungesën e kulturës politike të kompromisit dhe aftësisë për të negociuar e krijuar shumicë parlamentare. Në vend të reflektimit, Vetëvendosje rifilloi narrativën e “bllokadës” dhe e personalizoi krizën rreth figurës së Albin Kurtit, duke pretenduar se kundërshtimi ndaj tij ishte arsyeja e vetme e mosvotimit të qeverisë! Por, jo edhe fakti që duke i pasur vetëm 48 deputetë, plus aleatët nga subjektet politike të komuniteteve jo shumicë, nuk i mjaftonin për ta formuar Qeverinë “Kurti 3”, për çka ia doli të dëshmohej me vetëm 56 vota pro.

Pasi dështoi të krijojë shumicën, Vetëvendosje në koordinim të dukshëm me Presidenten Osmani, prapë pa siguruar votat, ka propozuar e mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër, duke e “shitur” këtë si “kompromis politik”. Në fakt, ky është vetëm një riartikulim taktik i të njëjtit problem strukturor: mospranimi i realitetit demokratik mbi të cilin funksionon Kosova, që kur nuk i ke votat në Kuvend, të duhet kompromis e marrëveshje politike me subjekte tjera parlamentare. Edhe ky hap, ashtu si të mëparshmit, nuk mbështet në garanci parlamentare, por në shpresën se “opozita bllokuese” duhet e do ta votojë “për të mirën e vendit”. Kjo qasje tregon një keqkuptim të thellë të mekanizmave të demokracisë parlamentare, ku qeveritë formohen mbi marrëveshje politike, jo mbi presion moral apo simpatinë publike.

Është e thjeshtë: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokratie nuk e kanë as detyrim, as obligim kushtetues për t’i dhënë votat Vetëvendosjes pa pasur një koalicion të dakorduar paraprakisht. Në sistemet parlamentare, subjektet politike janë institucione të pavarura, jo instrument ndihmës për fituesin e zgjedhjeve. Çdo presion për ta detyruar të votojë qeverinë pa marrëveshje politike përbën tentim deformimi të procesit demokratik. Vazhdimi i imponimit të narrativës së “viktimës” dhe “bllokuesve” për t’u bërë trysni frikësuese subjekteve politike se Vetëvendosje mund të arrijë 70% të votave në procesin e parakohshëm zgjedhor për shkak të mungesës së aftësisë së saj të të kuptuarit të demokracisë parlamentare e të besuarit se me narrativa mund të mirëmbajë legjitimitetin politik, duhet kuptuar se ai nuk zëvendëson shumicën parlamentare, sepse në thelb, për subjektet shtetndërtuese qeverisja kërkon bashkëpërgjegjësi institucionale, jo monopole elektorale. Mbi faktin se PDK, LDK, AAK, NISMA nuk kanë asnjë detyrim për të votuar dikë pa marrëveshje politike, ato duhet të mos u frikësohen narrativave, por mos pasjes së qëndrimeve lineare të tyre e të cilat në shumë situata nuk po i nxjerrin të interesuara të jenë në qeverisjen e vendit në këto kohë, kur jetësimi i Pajtimit të ndodhur në Bruksel e Ohër mes Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiqit duhet të jetësohen në terren.

Për fund, përpjekjet për të imponuar vendimmarrje politike përmes narrativave emocionale dhe presionit publik krijojnë precedentë të rrezikshëm për demokracinë edhe më të pjekur e lëre më si kjo e Kosovës, që si e brishtë është në ndërtim e sipër. Dhe nuk duhet harruar se kur legjitimiteti elektoral pretendohet si zëvendësues i legjitimitetit kushtetues, rezultati është delegjitimimi i institucioneve. Demokracia parlamentare e Kosovës mund të konsolidohet vetëm nëse respektohen rregullat e lojës, kultura e kompromisit dhe ndarja e pushteteve. Çdo devijim nga këto parime përbën hap prapa drejt personalizimit të politikës dhe instrumentalizimit të rendit kushtetues për qëllime të momentit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit