Pas ngjarjes së ndodhur në mesditën e sotme në Aeroportin e Rinasit, nga një atentat mafioz mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe i plagosur shoferi i tij Muçi Shaljani.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë të populluar dhe e frekuentuar për lëvizje.
Pas këtij lajmi të bujshëm ka reaguar me një postim në facebook, deputeti i PD-së Belind Këlliçi.
Postimi i plotë i Këlliçit:
Gjendja e mohimit dhe siguria në kolaps!
Në deklarimet e saj, ministrja demonstroi se ndodhej institucionalisht në gjëndjen e mohimit të situatës së rënduar kriminale në vend.
Ajo tha se “policia nuk rri dot në kuzhinë për të parandaluar që djali të godasë me thikë babanë, apo brenda në kuzhinën e restorantit për të parandaluar picerin të godasë më thikë kuzhinierin”.
Në një paradoks makabër, në të njëjtën ditë pak orë më pas ndodhi ngjarja e rëndë e Rinasit e cila jo vetëm ka tronditur opinionin publik, por ka ngritur edhe pikëpyetje serioze sa i takon sigurisë kombëtare në aeroportin e vendit, si dhe integritetit të strukturës policore, duke marrë parasysh se një ndër viktimat e atentatit është punonjës i AMP-së, nën varësinë e Ministres së Brendshme!
Në kontekstin e një ndjenje të thellë pasigurie tek qytetarët, kriminalizimi të policisë në çdo nivel, infiltrimi të strukturave kriminale në kupolën e institucioneve ligjzbatuese, nuk është gjëndja e mohimit zgjidhja për problemet e rënda të sigurisë dhe as loja me figurinat, duke ndërruar shpesh fytyrën e Ministrit të Brendshëm por jo substancën, mënyrën e të konceptuarit të punës.









