Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar nisjen e hetimeve nga SPAK ndaj deputetit të Partisë Demokratike dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Sipas GJKKO, Ndoja dyshohet për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “fshehjes apo mosdeklarimit të pasurisë”.
Gjyqtari Erjon Çela ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, e cila synonte pushimin e çështjes dhe ka vendosur kthimin e akteve pranë SPAK-ut, si prokuroria kompetente që do të vijojë hetimet për deputetin Ndoja.
NJOFTIM PËR MEDIAT
- Pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me datë 25.09.2025 është regjistruar kërkesa me nr. 146 regj.them., dërguar për kompetencë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me kërkues Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 1804 të vitit 2023 regjistruar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” të parashikuar përkatësisht nga nenet 287 dhe 257/a të K.Penal”.
-
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 75/a, 128/a pika 1, gërma “b”, 131, 329/b/3 dhe 329/3/b të K.Pr. Penale, me vendimin nr. 146, datë 14.11.2025, vendosi:
-
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, datë 25.07.2024, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 1804 të vitit 2023 regjistruar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” të parashikuar përkatësisht nga nenet 287 dhe 257/a të K.Penal”.
-
Kthimin e akteve që i përkasin procedimit penal nr. 1804 të vitit 2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të vazhduar hetimet si prokuroria që ka kompetencën lëndore.
3.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 14.11.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar








