Partia Demokratike, dega Elbasan, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Bashkisë për miratimin e paketës fiskale 2026, e cila parashikon rritje të disa tarifave lokale. Sipas PD-së, kjo lëvizje përbën një goditje të drejtpërdrejtë për familjet e qytetit dhe bizneset që operojnë në kushte të vështira ekonomike.
Sekretari i degës së PD-së në Elbasan, Sokol Shkëlzeni, në një deklaratë për mediat, e cilësoi vendimin si “të papërgjegjshëm dhe të pamatur”, duke theksuar se barra shtesë financiare bie mbi qytetarët që, sipas tij, nuk marrin shërbime të denja nga administrata vendore.
“Është e padrejtë t’u kërkosh familjeve të paguajnë më shumë, kur shërbimet publike vazhdojnë të jenë nën standard. Qytetarët nuk mund të detyrohen të mbulojnë me taksat e tyre mungesat e Bashkisë”, u shpreh Shkëlzeni.









