Rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, më 28 dhjetor, hap rrugën për dalje të shpejtë nga ngërçi politik njëvjeçar. Vetë kriza e krijuar ishte edhe rezultat i rregullave demokratike e jo i mungesës së demokracisë. Sepse demokracia është edhe e komplikuar. Për një vit liderët e partive politike nuk treguan pjekuri të mjaftueshme për të tejkaluar krizën. Tash me fitoren absolute të Vetëvendosjes, sapo të certifikohen rezultatet, do të shkohet shpejt në konstituimin e Kuvendit e më pas edhe formimin e qeverisë. VV-ja pritet t’i ketë votat e duhura në Kuvend. Por për një stabilitet të qëndrueshëm politik, për një qeverisje efikase, VV-së do t’i duhet, nëse jo koalicion edhe me ndonjë parti tjetër që e ka kaluar pragun, atëherë së paku bashkëpunim me partitë opozitare.
Dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, duhet të reflektojnë dhe të shohin se si do të ecin përpara. Deklarata e humbësit më të madh të zgjedhjeve, liderit të LDK-së Lumir Abdixhiku, dëshmoi një pjekuri të madhe të tij. Pjekuri çfarë nuk shihet diku tjetër në rajon. Pranoi humbjen, uroi fitoren, shprehi gatishmëri për të marrë përgjegjësinë që me gjasë shpejt do të çojë deri te dorëheqja e tij. Një pranim kaq i shpejtë i disfatës akoma nuk është parë në Shqipëri për shembull tash e 35 vjet.
Kësaj radhe edhe prononcimi i parë i Kurtit ishte shumë më i matur sesa ai pas zgjedhjeve të shkurtit. Ishte triumfues, me gjithë të drejtë pas një fitoreje të tillë, por edhe i përmbajtur duke mos kritikuar e lëre më fyer kundërshtarët politikë. Për më tepër, Kurti i ftoi të bashkëpunojnë në një gjë tejet të rëndësishme për Kosovën, për votimin e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, një prej të cilave është ajo për kredi dhe mjete me BE-në, në mënyrë që të përdoren mjetet nga pakoja e rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Populli i Kosovës tregoi një emancipim të jashtëzakonshëm politik edhe kësaj radhe. Dëshmoi se nuk voton vetëm për parti, por edhe për kandidatë dhe këtë e tregon fakti se në këto votime rezultatet dallojnë shumë nga ato lokale që u zhvilluan vetëm para dy muajsh. VV-ja nuk duhet ta bëjë gabimin e vitit 2021 kur mori mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare dhe humbi vetëm pas disa muajsh shumicën e madhe të komunave në zgjedhjet lokale. LDK-ja dhe PDK-ja po ashtu pas fitoreve të shumta në zgjedhjet lokale humbën shumë bindshëm në ato të përgjithshme. Edhe AAK-ja mund të ketë arritur sukses me kalimin e pragut si e vetme duke vendosur në lista zgjedhore kandidatë të duhur që kanë tërhequr vëmendjen e votuesve. Këto analiza nuk do të duhej të pengonin PDK-në dhe LDK-në që të bashkëpunojnë me VV-në në pikat që janë të interesit të lartë kombëtar.
Kosova tash duhet të hyjë në një pakt të ri me bashkësinë ndërkombëtare, para se gjithash me pesë vendet e Quintit. Sepse raportet nuk janë të mira, konfrontimi me to ka lënë pasoja dhe koha është që ky konfrontim të ndërpritet e të kthehet mirëbesimi.
Nuk ka sekret se çfarë kërkohet nga Kosova dhe po ashtu Kosova ka gjithsesi të drejtë të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare të mbajë premtimet për pjesën e saj të detyrimeve. Pra BE-ja dhe vendet e Quintit, me mbështetje edhe të NATO-s, ani pse është vetëm aleancë ushtarake, do të kërkojë që Kosova vërtetë sa më shpejtë të çojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nuk ka më as hapësirë e as nevojë për taktizime se si do të reflektojë kjo në zgjedhje sepse zgjedhjet u kryen. Në këtë pikë, opozita duhet të tregojë përgjegjësi kombëtare. Sepse as opozita nuk do të përfitojë nëse pret që VV-ja ta bëjë këtë për ta kritikuar dhe sulmuar. E humbës në rast të vonesave do të jetë Kosova si shtet. Është naive të besohet se duke mos e përmendur këtë detyrim, ai të harrohet. Sepse nuk ka asnjë dokument të vetëm të BE-së për Kosovën dhe rajonin ku nuk përmenden këto detyrime.
Kosova duhet të bëjë dakordim me miqtë e saj kryesorë që, sapo ta bëjë Kosova një hap, të pasojë hapi tjetër i tyre ndaj Kosovës. Kjo do të duhej të bëhej me bashkësinë ndërkombëtare pa llogaritur se një gjë të tillë do ta mbështesë edhe Serbia. Sepse nuk humb Serbia, por Kosova në rast se nuk bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe nuk nis procedura për dhënien e statusit të kandidatit për BE.
Përkundër arsyeve që Kosova i ka të jetë e zemëruar edhe me BE-në dhe vendet e Quintit, fakt është se sa herë që përmendet Asociacioni, apo strukturat e pushtetit lokal të serbëve në Kosovë, thuhet se kjo duhet të bëhet në përputhje të plotë me kornizën ligjore të Kosovës. Dhe kjo është një lehtësim për Kosovën. Kjo pastaj i jep të drejtë Kosovës që të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare të reagojë kur nën diktatin e Beogradit struktura të caktuara në Kosovë mund të bëjnë tentime të shkelin kornizën ligjore të Kosovës.
Për fat të keq, pluralizmi politik në tërë Kosovën, që është shembull për të tjerët në rajon, nuk është siguruar në mesin e serbëve të Kosovës. Kjo është për keqardhje dhe këtu bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e ashpër ndaj Beogradit, sepse e di mirë edhe BE-ja, e ka këtë edhe në raporte, se ata serbë që janë kundër Listës Serbe kanë qenë gjithmonë cak i sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimeve. Por edhe në këtë rast Kosova nuk duhet të bazojë pozitën e serbëve të Kosovës në Kosovë me sjelljen e Beogradit. Dhe këtu mund të ketë një koordinim me bashkësinë ndërkombëtare nëse do të krijohet një mirëbesim, i cili pa dyshim se ishte humbur.
Partitë politike në Kosovë do të kenë edhe në të ardhmen tema për të cilat mund të grinden, nga çmimet e larta, inflacioni dhe mungesa e rrymës e deri te projektet madhore. Por duhet të kenë bashkëpunim për pikat më kryesore me rëndësi të madhe të interesit kombëtar, siç janë dialogu me Serbinë dhe raportet me BE-në. I takon VV-së si fituese e madhe që ta afrojë opozitën e jo opozitës që ajo t’i afrohet VV-së. Kështu e kanë rregullat e demokracisë./KOHA









