Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi bëri bilancin e fundvitit duke theksuar se sistemi gjyqësor funksionon aktualisht me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij real.
Sadushi theksoi se, pavarësisht kushteve të vështira, Gjykata e Lartë ka arritur të ulë backlogun me 61% gjatë pesë viteve të fundit, duke dhënë gjithsej 39.269 vendime dhe duke e reduktuar stokun në 14.081 çështje.
“Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij, ose me 110 gjyqtarë më pak.
Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga Shkolla e Magjistraturës parashikohet të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, theksoi Sadushi.
Ai e quajti domosdoshmëri marrjen e masave konkrete për korrigjimin e menjëhershëm të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës.









