Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shprehur falënderimet e tij për punonjësit e policisë që u angazhuan gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike, duke theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Ai ka vlerësuar gjithashtu reagimin e forcave të policisë përballë dhunës dhe ka shprehur mirënjohje për liderët e policisë që menaxhuan situatën.
“Të nderuar drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit,
Ju falënderoj për profesionalizmin, përmbajtjen dhe përkushtimin e treguar gjatë angazhimit tuaj në garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës. Pavarësisht akteve të shumta të dhunës, me bomba molotov, lëndë piroteknike e sende të forta, ju demonstruat standarde të larta profesionale, respekt për ligjin dhe përgjegjësi institucionale. Uroj shërim të shpejtë për 11 punonjësit e dëmtuar gjatë detyrës dhe i siguroj ata për mbështetjen e plotë të institucionit. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë drejtuesit, për lidershipin, koordinimin dhe menaxhimin profesional të situatës. Mirënjohje për çdo efektiv të Policisë së angazhuar,” shkruan Proda.









