Debat dhe akuza nga opozita në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Në nisje të mbledhjes kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi për shtyrjen pa afat të mbledhjes së Këshillit për autorizimin për Belinda Ballukun.
“Zoti Peleshi, jeni në shkelje flagrante të Rregullores. E kemi kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, por e keni refuzuar. Vendosët ta mblidhnit më datë 28, por dy orë para mbledhjes, me një urdhër që përmbante të dhëna të rreme, e keni anuluar mbledhjen.
Kështu siç e keni shkruar, edhe pse jam i bindur se nuk e dini se çfarë keni shkruar, i bie që Këshilli të mblidhet pas dy muajsh. Mjafton të lexosh ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, ju thoni që do ta mblidhni Këshillin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Gjykata ka më shumë se dy muaj kohë për t’u shprehur.
Kjo është një sjellje arbitrare dhe argumentet kanë zero bazë, qoftë në Kushtetutë apo në Rregullore. Askund nuk thuhet që Kuvendi duhet të presë të shprehet një institucion tjetër për një çështje që nuk ka lidhje me ne. Ka vetëm një shpjegim: ju keni marrë në mbrojtje korrupsionin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut” tha ai.
“Kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin. Mbrojtja politike e një të korruptuari është çështje që ju bën me turp edhe juve. Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin” tha më tej Jorida Tabaku.









