Pas njoftimit për një rishikim të rregulloreve të BE-së që rregullojnë hyrjen dhe daljen nga Zona Shengen, shoferët e kamionëve në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut i dhanë fund bllokadës në kufirin e jashtëm të BE-së të enjten (29.01.2026). Një ditë më pas edhe në Serbi dhe Bosnjë iu dha fund bllokadës.
Protestat, të koordinuara nga shoqatat e speditorëve, u drejtuan kundër sistemit dixhital të hyrjes dhe daljes së shtetasve të vendeve të treta të BE-së, i cili ka nisur të aplikohet që nga tetori. Sistemi i hyrjes/daljes në kufi (EES) synon të heqë përdorimin e vulave të pasaportave dhe të mbledhë në mënyrë qendrore të dhënat e udhëtimit dhe informacionin biometrik për të gjithë Zonën Shengen – duke përmirësuar kështu, në veçanti, mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së.
Shoqatat e spedicionerëve e mirëpritën vendimin e BE-së
Sipas Dhomës së Tregtisë Serbe (CCIS), kohët e fundit ka pasur arrestime të përsëritura të shoferëve, që dyshohet se kanë shkelur rregullin që kufizon qëndrimet në BE në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore. Ndërsa ky kufizim nuk është i ri, sistemi elektronik EES lejon një zbatim më të rreptë të këtyre rregulloreve për qytetarët jo-BE.
Të enjten (29.01.2026), Komisioni Evropian deklaroi se do të “punojë ngushtë me shtetet anëtare për të gjetur zgjidhje pragmatike që lejojnë qëndrime të shkurtra të zgjatura për kategori të caktuara të shtetasve të vendeve të treta”. Kjo duhet të përfshijë edhe shoferët e kamionëve. Shoqatat e spedicionerëve e mirëpritën këtë veprim.
Sipas të dhënave të BE-së, BE-ja është partneri më i rëndësishëm tregtar i Ballkanit Perëndimor, duke përbërë mbi 60 përqind të tregtisë totale në rajon. Në vitin 2024, tregtia e mallrave midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor arriti në mbi 83 miliardë euro/ DW









