Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me kërkesën për rritjen e pagave të gjyqtarëve, duke i cilësuar këta të fundit si ata që po përpiqen të ushtrojnë presion mbi qeverinë dhe parlamentin.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka theksuar se dëgjimi i regjistrimit të seancës së Gjykatës Kushtetuese ka ngritur pyetje mbi justifikimet e gjyqtarëve për rritjen e pagave, përderisa, siç tha ai, pagat e gjyqtarëve në Shqipëri janë tashmë më të larta se ato të shumicës së shteteve të rajonit.
“Gjykata Kushtetuese para pak ditësh publikoi regjistrimin e seancës ku gjykatësit, dy shoqata, kërkuan nga GJK t’u rritet paga.
Po të dëgjosh atë regjistrim të seancës realisht ndjehesh në vështirësi të madhe duke menduar që këta janë njerëzit që gjykojnë e japin drejtësi ndërkohë që filli i logjikës së atyre që u ballafaquan me GJK lë tejet për të dëshiruar. Nuk është çështje personash dhe nuk kam asnjë qëllim e dëshirë të bëj polemikë me askënd. Por ja si flet një prej tyre: Jam gjyqtar karriere dhe qytetar aktiv. I thotë gjykatës që tenton ta bëjë këtë fshehurazi duke shfrytëzuar fushatën zgjedhore. Bën edhe ironi me nivelin e demokracisë, kur e vërteta është që në Shqipëri pagat e gjykatësve sot në Shqipëri, janë të njëjta me ato të gjyqtarëve në Greqi, por 2 fish më të larta se homologët në Maqedoni e Mal të Zi. Gjykatësit duan t’i imponohen Parlamentit dhe qeverisë për të rritur pagat. Një tjetër thotë: Ne i sjellim para buxhetit të shtetit ndaj duhet të na rritet paga. Shpresoj shumë që GJK të mos ia lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë e të mos na bëjë të marrim ilaçe të tjera.”, tha Rama.









