Mediat palestineze raportuan se gjatë natës, ushtria izraelite ka realizuar sulme ajrore dhe me artileri në Rripin e Gazës, duke shkaktuar të paktën nëntë viktima, përfshirë gjashtë në Gazën Veriore. Tre nga viktimat u vranë në bombardimet në lagjën Tuffah, ndërsa dy fëmijë, përfshirë një foshnjë pesëmuajshe, humbën jetën në një tjetër sulm në lagjen Zeitoun. Të tjera viktima u regjistruan nga Khan Younis, në jug të Gazës.
Në përgjigje të këtyre sulmeve, ushtria izraelite njoftoi se një oficer u plagos rëndë gjatë një operacioni në Gazën Veriore, ku një rezervist izraelit u godit nga të shtënat e grupeve të armatosura palestineze pranë Vijës së Verdhë, kufirit që ndan Izraelin nga territoret e kontrolluara nga Hamas.
Për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve, ushtria izraelite përdori tanket dhe avionët luftarakë për të sulmuar pozitat e militantëve palestinezë dhe ka paralajmëruar sulme të tjera. IDF e ka cilësuar incidentin si një “shkelje flagrante” të armëpushimit të vitit të kaluar, duke theksuar se operacionet do të vazhdojnë për të neutralizuar kërcënimin nga grupet militante palestineze.
Ky përshkallëzim i dhunës vjen pas një periudhe të tensionuar dhe shkeljes së vazhdueshme të armëpushimeve, duke rritur shqetësimet për një krizë më të thellë humanitare në rajon.









