Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur të pranojë pjesërisht ankimimin e Ardit Keros lidhur me vendimin e Gjykatës së Fierit, e cila kishte urdhëruar sekuestrimin e disa llogarive bankare të tij.
Në vendimin e marrë, Apeli ka shfuqizuar pjesërisht vendimin e sekuestrimit dhe ka urdhëruar kthimin e shumave monetare në disa llogari të caktuara.
NJOFTIMI I PLOTË I GJYKATËS:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Igerta Hysi, sot më datë 12.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 48 akti, datë 03.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit A.K: “Ankim kundër vendimit Nr. 62-2025-4590 (1309), datë 13.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, lidhur me kundërshtimin e vendimit të sekuestros”, si vijon:
- Ndryshimin e vendimit Nr. 62-2025-4590 (1309), datë 13.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në këtë mënyrë:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës së shtetasit nën hetim A.K.
– Shfuqizimin e pjesshëm të vendimit “Për sekuestrimin pranë bankave”, datë 18.07.2025, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për pjesën që ka vendosur sekuestrimin pranë Bankës “” të llogarive nr. ***, me balancë 327,060.55 lekë; nr. ***, me balancë 11,535 Euro; nr. ***, me balancë 1,653 Usd dhe pranë Bankës “” të llogarisë nr. ***, me balancë 2,043 euro, në emër të shtetasit nën hetim A.K, i biri i A. dhe i Y., i datëlindjes ***, me Nr. ID ***.
– Kthimin e shumave të mësipërme monetare, shtetasit nën hetim A.K. 2.
Miratimin e vendimit Nr. 62-2025-4590 (1309), datë 13.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për pjesën tjetër.
- Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, më datë 12.02.2026.









