-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Maqedonasit në “turizëm farmaceutik”në Kosovë dhe në Serbi për barna më të lira

Kryesoret

“Deri në Han të Elezit për barna…”, është fjalia që e dëgjojnë rojtarët kufitarë në pikën kufitare të Bllacës mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, sidomos gjatë fundjavave, kur pyesin shtetas maqedonas se ku po shkojnë në shtetin fqinj.

Hani i Elezit është qyteti i parë në anën e Kosovës, vetëm pesë apo gjashtë kilometra larg kufirit maqedonas dhe është destinacion i shpeshtë për qytetarët maqedonas për barna më të lira, sipas dëshmive që disa qytetarë kanë ndarë me Radion Evropa e Lirë (REL).

Të tjerë udhëtojnë 35-40 kilometra deri në Ferizaj, për të bërë pazar dhe blerë barna njëkohësisht.

Nga ana tjetër, përmes pikës kufitare Tabanoc në kufirin me Serbinë, destinacioni për barna është qyteti i Vranjës.

Shteti nuk ka shifra zyrtare se sa maqedonas blejnë barna në shtete të tjera, cilat janë terapitë e tyre mujore dhe sa para “derdhen” nga shteti mbi këtë bazë.

Por, qytetarët dëshmojnë se praktika është e shpeshtë dhe se destinacionet kryesore janë Kosova dhe Serbia.

Bëhet fjalë për barna për zemrën, për trombozë, astmë, për të tilla që në Maqedoninë e Veriut ose nuk janë në listën pozitive dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH) nuk i subvencionon, ose janë të shtrenjta ose thjesht nuk gjenden nëpër farmaci. Pra, edhe pse barin e përshkruan mjeku, pacienti duhet ta blejë privatisht.

“Për barna shkoj më shpesh sesa do të doja. Dhe, kur më thonë sa kushton në muaj, më vjen të qaj. Në Serbi është më lirë”, thotë Millan S., 48 vjeç nga Shkupi, i cili është në terapi për shkak të sëmundjes kardiovaskulare.

Pacientë, farmacistë nëpër farmaci maqedonase dhe mjekë konfirmojnë se “turizmi farmaceutik” po bëhet përditshmëri për shumë qytetarë maqedonas.

I njëjti bar – dallim i dyfishtë në çmim

“Ksarelto” prej 15 miligramësh është barna që 60-vjeçari nga Shkupi, Dragan M., duhet ta pijë çdo ditë pas operacionit në këmbë për shkak të trombozës venoze. Përdoret për trajtim dhe parandalim të mpiksjes së gjakut.

Por, Dragan thotë se, megjithëse barin ia ka përshkruar mjeku, mund ta blejë vetëm privatisht sepse nuk është në listën pozitive të barnave. Çmimi në farmaci është 2.907 dinarë për një kuti (rreth 47 euro).

Me të njëjtat para, në Kosovë do të blinte 2.5 kuti të së njëjtit ilaç. Atje i ka blerë për 20 euro, përkatësisht nga 1.200 dinarë secilin.

Por, verifikimi i REL-it në farmaci në Kosovë tregoi se i njëjti ilaç mund të gjendet edhe për 13.58 euro për kuti.

“Herën e fundit mora katër kuti, m’i sollën nga Prishtina dhe më kushtuan rreth 5.000 dinarë rreth 81 euro. Në farmacitë tona, me të njëjtat para mund të merrja vetëm dy kuti”, thotë Dragani për REL.

Në Serbi, “ksarelto” prej 15 mg kushton nga 2.227 deri në 2.382 dinarë, varësisht nga farmacia. Pra, edhe në të dy shtetet fqinje është më lirë se në Maqedoninë e Veriut.

Marinës V. nga Shkupi, ndërkaq, mjeku i ka përshkruar “salofalk 500”, barna për kolit, sëmundje inflamatore e zorrëve. Duhet ta pijë gjithë jetën sepse terapia e mban inflamacionin nën kontroll. Ilaçi mbulohet nga FSSH, por në tri vjetët e fundit, furnizimi është problem i rregullt.

“Shpesh ka mungesa dhe rregullisht [disa herë në vit] kërkoj nga dikush nga Serbia të më sjellë sasi. E marr pa recetë. Për çudi, te ne është më lirë se në Serbi, por ka mungesa. Kot është në listën pozitive kur nuk gjendet”, thotë Marina për REL.

Në farmaci serbe, “salofalk 500” kushton nga 1.080 deri rreth 1.340 dinarë.

Pensionistja Dragica B. përdor sprej për inhalim “spiolorespimat” – terapi mirëmbajtjeje për pacientë me COPD. E blen privatisht, në farmaci në Ferizaj, për rreth 1.500 dinarë. Në Maqedoninë e Veriut është rreth 2.600 dinarë.

Llogaritja e Entit të Statistikave, e bërë për Radion Evropa e Lirë (REL), tregon se pjesëmarrja e shpenzimit për barna në shpenzimet totale vjetore të jetesës ka variuar në mënyrë të parëndësishme në katër vjetët e fundit.

Pra, shpenzimi për barna i një familjeje për vitin 2025 është rritur për 2.65 për qind krahasuar me vitin 2024, që është më pak krahasuar me rritjet e tri vjetëve paraprake.

Treg i vogël, kosto importi, norma të ndryshme tatimore

Por, ajo që shifrat nuk e tregojnë, e dëshmojnë mjekët dhe punonjësit në farmaci, të cilët janë kontakti i parë me pacientët që blejnë barna.

Një mjek nga një ordinancë internistike në Tetovë na tha se edhe nga pacientët e tij shpesh dëgjon se ilaçin që ua përshkruan, e blejnë në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm se barnat që japim janë të shtrenjta, siç është ‘ksarelto’. Të tjerat madje nuk gjenden gjithmonë, e megjithatë i përshkruajmë, për shembull ‘entresto’ për dështim të zemrës. Ne i japim pacientit atë që është më e mira për të, ndërsa nga do ta sigurojë, është vendimi i tij. Por po, dëgjojmë nga pacientë se, nëse një bar këtu kushton 50 euro, në Kosovë mund të kushtojë 20 euro”, tha mjeku që kërkoi të mbetet anonim.

Vesna Stavrova, kryetare e Odës Farmaceutike të Maqedonisë, thotë se problemi me çmimet e larta është barrë serioze për qytetarët që çdo ditë vijnë në farmaci dhe reagojnë lidhur me çmimet më të larta të preparateve të caktuara.

“Kur ilaçi nuk është në listën pozitive, qytetarët e paguajnë me çmim tregu që shpesh është më i lartë sesa në vendet fqinje. Arsyeja është se jemi treg i vogël që e zvogëlon fuqinë negociuese të shtetit me gjigantët e mëdhenj farmaceutikë dhe për të gjitha barnat që importohen, kostot e importit si transporti, dogana dhe marzhat e rrisin çmimin”, thotë Stavrova për REL.

Ajo thotë se shpesh ndodh që i njëjti bar të jetë më i lirë në shtetet fqinje edhe për shkak të normave të ndryshme tatimore.

Mungesa e barnave të caktuara në tregun farmaceutik, sipas Stavrovës, vjen ndoshta nga mungesa e substancës aktive për prodhim, nga rritja e kostove doganore për barnat e importuara, ose nga pengesa administrative dhe tenderuese.

Ndonjëherë, prodhuesi nuk ka interes komercial të regjistrojë barna të caktuara në Maqedoninë e Veriut ose t’i mbajë në shitje vazhdimisht.

Si përcaktohen çmimet e barnave?

Politikën e çmimeve të barnave e përcakton Ministria e Shëndetësisë, mbi bazën e metodologjisë për formimin e çmimeve të barnave. Për disponueshmërinë e barnave është kompetente Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED).

Ministria përcakton nivelin maksimal të çmimit të çdo ilaçi në tregtinë me shumicë, përmes analizës krahasuese të çmimit të ilaçeve në pesë vende referente nga rajoni – Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bullgaria dhe Greqia.

Mesatarja e dy vendeve që në analizë tregojnë se kanë çmimin mesatar më të ulët për atë bar nga të gjithë prodhuesit e pranishëm në tregun e atij vendi, përcaktohet si çmimi maksimal në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, për farmaci është e përcaktuar një marzhë fikse. Ajo është 20 për qind, 25 për qind ose 28 për qind, maksimalisht deri në 1.200 dinarë, varësisht nga lartësia e çmimit me shumicë të çdo brane.

Farmacitë nuk i përcaktojnë marzhat e barnave.

Barnat që mbulohen nga shteti kanë çmime të njëjta në të gjitha farmacitë./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit