Delegacioni i opozitës, i kryesuar nga Gazment Bardhi, ka vijuar takimet në Berlin, me deputetin e Bundestagut, Knut Abraham, ku në fokus ishte procesi i integrimit europian të Shqipërisë. Në takim morën pjesë edhe deputetët Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu.
Përmes një postimi në facebook, Bardhi bëri të ditur se diskutimet u zhvilluan hapur mbi ecurinë e integrimit dhe situatën aktuale të Shqipërisë. Sipas tij, standardet europiane nuk mund të mbeten në nivel deklarativ, por duhet të reflektohen në veprime konkrete.
Postimi i Bardhit
E vërteta është që standardet europiane nuk janë çështje fjalësh, por janë çështje veprash. Dhe këtu kemi problem serioz. Qeveria dhe PS në Shqipëri po pengojnë drejtësinë dhe po i japin mbrojtje politike me votë korrupsionit. Kjo po dëmton besueshmërinë e vendit dhe po e mban peng procesin e integrimit🇪🇺.
Prandaj, mesazhi ynë në Berlin është i qartë: Shqipërisë i duhet ndryshimi: zgjedhje të lira dhe një qeveri që punon për Europën, jo kundër saj!









