Ish-diplomatja amerikane Robin Brooks vlerëson se dialogu ndërmjet Kosova dhe Serbia po pengohet nga një nivel i lartë burokracie, që sipas saj po e vështirëson arritjen e zgjidhjeve kreative dhe afatgjata.
Në një intervistë për Radio Kosova, Brooks theksoi se megjithatë dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka pasur rol pozitiv në mbajtjen e palëve të angazhuara dhe në shmangien e përshkallëzimit të tensioneve.
Ajo nënvizoi se një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve mbetet njohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia, duke e cilësuar këtë si element thelbësor për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe zhvillimin e një demokracie funksionale shumë-etnike.
Brooks shtoi se njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë do të rriste ndjeshëm fuqinë negociuese të Prishtinës në dialog.
Sa i përket sigurisë, ajo paralajmëroi se çdo tërheqje eventuale e trupave amerikane nga KFOR do të ishte e gabuar, duke pasur parasysh rreziqet e vazhdueshme dhe nevojën për stabilitet në rajon.
Në përfundim, Brooks theksoi se, ndonëse ekziston vullnet për dialog nga të dyja palët, mungesa e fleksibilitetit dhe kompromisit – veçanërisht nga Serbia – mbetet pengesë kryesore për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.









