Një gjykatë në Madrid ka urdhëruar që bashkëshortja e kryeministrit të Spanjës të dalë në gjyq me akuzat për përvetësim, abuzim me ndikimin, korrupsion në korporata dhe vjedhje të markave tregtare.
Vendimi vjen pas një hetimi dyvjeçar mbi qëndrimin e Begoña Gomez si profesoreshë në një universitet privat në Madrid, ku dyshohet se ajo përdori marrëdhënien e saj me Pedro Sanchez për të ndikuar tek autoritetet dhe zyrtarët.
Siç raportohet nga ‘El Pais’, Gomez u informua për këtë zhvillim sot ndërsa ishte në një udhëtim me Sanchez në Kinë.
Së bashku me Gomezin, dy persona të tjerë po nxirren në gjyq, ish-këshilltarja e zyrës së kryeministrit, Cristina Alvarez, dhe biznesmeni Juan Carlos Barabés.
Vendimi i gjyqtarit vjen pas një seance dëgjimore që ai mbajti të Mërkurën e Madhe të kaluar për të informuar të përfshirët se, nëse çështja shkon në gjyq, ajo do të vendoset nga një juri – domethënë, qytetarë të zakonshëm.
Si mbrojtja e Gomezit ashtu edhe prokuroria kanë këmbëngulur që çështja nuk përbën krim dhe duhet të pushohet.
Sanchez: “Gruaja ime është e ndershme”
Kujtohet se Sanchez, gjatë hetimeve, mbrojti “ndershmërinë” e gruas së tij kur ajo u kritikua nga opozita e krahut të djathtë dhe nga presidenti argjentinas Javier Milley, i cili shkaktoi një krizë diplomatike duke e përshkruar atë si “të korruptuar”.
“Gruaja ime është e ndershme në profesionin e saj, serioze dhe përgjegjëse, dhe qeveria ime është një qeveri ‘e pastër’”, tha kryeministri socialist para parlamentit, duke siguruar se paditë kundër saj nuk bazoheshin në asnjë provë të prekshme. “Jam i sigurt se gjykatat do t’i rrëzojnë” këto dy padi, sepse “ato janë një grumbullim mashtrimesh dhe shpifjesh”, shtoi ai.
Hetimi për “korrupsion” dhe “ndikim të papërshtatshëm” kundër Begoña Gómez filloi në mesin e prillit 2024, pas një padie të ngritur nga organizata Manos limpias (Duar të Pastra).
Një organizatë tjetër, gjithashtu e lidhur me të djathtën ekstreme, Hazte Oir, më pas ngriti një padi të dytë para të njëjtit gjyqtar.









